Gjirokastër , 9 qershor NOA - Kandidatet për deputete në Qarkun e Gjirokastrës Arta Dade dhe Elvira Shapllo, kanë zhvilluar pasditen e djeshme një takim të zgjeruar me artistët dhe sportistët gjirokastritë.
Sekretari rajonal i PS të Gjirokastrës njëkohësisht kryetari i Bashkisë së Gjirokastrës Flamur Bime, ka çelur takimin duke falenderuar të pranishmit që ishin të pranishëm.
Ardhja e Arta Dades në Gjirokastër si kandidate për deputete, është një shans për rajonin e Gjirokastrës pasi përkujdesjen e saj ndaj qytetit tonë ajo e ka treguar edhe më parë duke qenë aktive në realizimin e dosjes dhe përmbushjen e kërkesës për të qenë qyteti ynë në listën e trashëgimisë botërore UNESCO kur Dade ishte ministre e kulturës-është shprehur Bime.
Dade i është drejtuar artistëve dhe sportistëve të tubuar se të pesë kandidatët socialistë për deputetë, janë pritur mjaft mirë nga komuniteti i artistëve dhe sportistëve.
Programi i PS është hartuar përmes një dialogu të vazhdueshëm në të gjithë Shqipërinë gjatë një periudhe dy vjeçare duke u përqendruar në problemet që kanë sot shqiptarët-është shprehur Dade.
Duke qëndruar te vlerat kulturore të Gjirokastrës, kandidatja për deputete e PS Arta Dade, është shprehur krenare që do të jetë ajo dhe kandidatët e tjerë fitues të PS në Qarkun e Gjirokastrës, përfaqësues të këtyre vlerave. Me ardhjen e qeverisë socialiste do të përcaktohet statusi i muzeumeve të Gjirokastrës e sidomos atij të armëve që është unikali në ekzistencën e vet.
Dade ka premtuar se sportit gjirokastrit do t'i kushtohet më tepër rëndësi për t'u zhvilluar në standardet e dikurshme kur ishte në elitë.
Për artistët e skenës Dade ka premtuar se përmes projekteve që do të përfitohen nga programet ndërkombëtare, do të bëhet e mundur rritja e cilësisë artistike dhe rritja e të ardhurave duke patur padyshim edhe mbështetjen e qeverisë shqiptare.
Kandidatja për deputete e PS ka gjetur rastin të vlerësojë aktivitetet artistike të organizuara nga Bashkia e Gjirokastrës kohët e fundit të cilat kanë pasur madje dimension internacional.
"Fest Argjiro" ishte një aktivitet i përmasave ndërkombëtare ku treguan vlerat e veta artistët popullorë nga krahinat vendase dhe ato ballkanike. Qeveria e ardhshme do të mbështesë konkretisht këto aktivitete që kanë në thelb promovimin e kulturave të ndryshme, -është shprehur Dade.
Ndërkohë nga ana e saj kandidatja tjetër për deputete e PS Elvira Shapllo, si një prej specialisteve të historiografisë vendase, është ndalur në rëndësinë që i duhet kushtuar muzeumeve të qytetit të Gjirokastrës.
Sipas Shapllos, tre muzeumet që ka Gjirokastra u duhet kushtuar rëndësi e veçantë duke mos i lënë të harruara deri më sot pasi në këtë mënyrë promovohet historia e popullit tonë.
Shapllo është ndalur edhe tek nevoja për vitalizimin e pjesës muzeale të Gjirokastrës e cila deri më sot nuk është realizuar.
Vitalizimi i kësaj pjese të qytetit, do të ndërmerret nëse do të ndërtohet korpusi universitar i premtuar kohë më parë por që nuk u realizua dot gjatë këtyre katër viteve, -është shprehur Shapllo.
Nevoja për ndryshimin e madh është e prekshme për këdo që ka besim në një të ardhme të mirë për të gjithë ne, -ka përfunduar fjalën e vet Elvira Shapllo kandidatja për deputete e PS.
v.d/NOA