Paris, 9 qershor NOA - Në takimin që u mbajt dje në Pallatin presidencial l'Elysa©e është biseduar për marrëdhëniet bilaterale mes Francës dhe Republikës së Kosovës, si dhe bashkëpunimin e ardhshëm që do të mundësojë thellimin e mëtutjeshëm të këtyre marrëdhënieve.
Këtë e konfirmoi zyrtarisht presidenca franceze në një komunikatë, pas takimit kokë më kokë mes dy burrështetasve.
"Do të riafirmohet përkrahja e plotë e Francës për këtë shtet të ri", - u nënvizua në një komunikatë, të lëshuar nga Zyra e Presidentit të Francës.
Po ashtu, në takimin mes dy burrështetasve, presidenti Sarkozi ka pranuar ftesën e kryeministrit Hashim Thaçi për një vizitë zyrtare në Republikën e Kosovës, vizitë kjo që do të realizohet gjatë vitit në vazhdim.
"Në takim është diskutuar edhe rreth përfshirjes së Kosovës në skenën ndërkombëtare. Franca është e angazhuar plotësisht përkrah Kosovës, për ta shoqëruar në rrugën e konsolidimit demokratik dhe të prosperitetit", pohoi Kabineti i Presidentit Sarkozi.
Ndërkohë, presidenca e Kosovës, gjithashtu ka dhënë informacion mbi takimin e rëndësishëm.
Ajo tha se Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka marrë konfirmimin nga presidenti Sarkozi, se shteti francez do të vazhdojë mbështetjen e fuqishme për shtetin e ri të Kosovës.
Franca është e angazhuar plotësisht përkrah Kosovës, për ta mbështetur në rrugën e konsolidimit demokratik dhe të prosperitetit, është thënë në takim, citon Presidenca e Kosovës.
Franca është kontribuuesi i dytë i misionit evropian EULEX dhe kontribuuesi i katërt në kuadër të KFOR-it.
Duke evidentuar këtë fakt, presidenti francez, Sarkozi ka shprehur mbështetjen e plotë për integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian dhe në NATO.
a.b/NOA