English

SHBA: Do të penalizoheni, nëse nuk luftoni korrupsionin

Nga Rajmonda Lajthia

Tiranë, 9 qershor NOA Update - Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kujtojnë Shqipërisë se rrezikon përfitime nga projekti i Sfidës së Mijëvjeçarit, nëse nuk ka progres të mjaftueshëm në luftën kundër korrupsionit, kurse kryeministri reagon duke pohuar se lufta antikorrupsion është e fortë.

Deklarata e drejtpërdrejtë ka ardhur sot nga drejtorja e USAID në Shqipëri, Roberta Mahoney, gjatë hapjes së Qendrës Kombëtare të Liçensimit.

Ajo bëri këtë deklaratë kushtëzuese: "Nëse nuk do të keni prova konkrete dhe të mjaftueshme në luftën kundër korrupsionit, Shqipëria rrezikon seriozisht të përfitojë asistencë financiare nga projekti i Sfidës së Mijëvjeçarit, të popullit amerikan".

Në apelin e saj drejtorja e USAID konsideroi se fenomeni i korrupsionit në vend është shqetësues dhe përpjekjet për të luftuar atë janë ende të dobëta.

Por i menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i kryeministrit Sali Berisha i cili, e cilësoi luftën antikorrupsion si arritjen më të suksesshme të kësaj qeverie, gjatë këtij mandati. "Dua të theksoj se ndofta nuk ka patur fushë tjetër ku kemi patur suksese më të mëdha, se në këtë fushë, por nuk ka fushë tjetër, në të cilën ne kemi nevojë të kemi sukses shumë herë më të madh", - tha kreu i qeverisë.

Sipas tij, projekti i hapjes së Qendrës së Liçensimit është një përgjigje e merituar për të luftuar korrupsionin.

"Jam optimist se ky projekt është një përgjigje e merituar në një fushë ku korrupsioni ekziston, privatizimet kanë qenë një përgjigje e shkëlqyer dhe e merituar që i është dhënë korrupsionit, në këto korporata", - tha Berisha.

Njëkohësisht edhe privatizimet apo tenderët elektronikë janë masa që kanë shërbyer për të shmangur fenomenin kanceroz, siç e cilësoi kreu i qeverisë.

Qendra Kombëtare e Liçesimit do të funksionojë si një sportel i vetëm për të marrë çdo leje dhe liçensë të biznesit. Tarifa e shërbimit do të jetë 100 lekë dhe leja e nevojshme do të merret nga 2 deri në 4 ditë në varësi të llojit të dokumentacionit.

r.l/e.l/NOA

KOMENTE