English

Shteti më i ri, një vit më pas

Nga Hashim Thaçi

Kryeministër i Republikës së Kosovës

Është nder dhe kënaqësi për mua të jem këtu. Po ashtu jam i kënaqur të jem në Paris, një qytet që shërben si epiqendër e rëndësishme e historisë, kulturës dhe vlerave madhore të Evropës. Meqë jemi në Paris dhe në Evropë; më lejoni të filloj duke ju përshëndetur të gjithëve në cilësinë e kryeministrit të shtetit më të ri në Evropë - Republikës së Kosovës. Shtetësia e Kosovës është shumë më e re se ajo e Republikës së Francës, por populli i Kosovës dhe populli i Francës kanë qenë pjesë e një kontinenti me shekuj të tërë dhe sot janë pjesë e tri vlerave të përbashkëta demokratike: Lirisë, Barazisë dhe Miqësisë. Republika e Kosovës, mu sikur edhe Republika e Francës, ka ndërtuar vendin duke u mbështetur në këto parime themelore: liri për të gjithë, barazi për qytetarët tanë dhe në fund miqësi që siguron shoqërinë shumetnike të vendit tonë. Jam para jush sot, vetëm disa ditë para përvjetorit të parë të legjitimimit dhe hyrjes në fuqi të këtyre vlerave dhe parimeve - vetëm disa ditë para përvjetorit të parë të hyrjes në fuqi të Kushtetutës së Kosovës. Ishte vetëm një ditë pasi ne shpallëm pavarësinë tonë; kur Franca mori një vendim shumë të rëndësishëm për vendin dhe popullin tonë, duke u bërë ndër vendet e para evropiane që njohu pavarësinë e shtetit të Kosovës. Andaj, më lejoni të ndalem këtu për një çast e të falënderoj Francën dhe popullin e madhërishëm të Francës duke ju thënë edhe njëherë, u jemi thellësisht mirënjohës! Kjo javë shënon vizitën time të parë zyrtare në Republikën e Francës si Kryeministër i Republikës së Kosovës. Është moment i përshtatshëm të jem këtu në Qendrën për Studime dhe Hulumtime Ndërkombëtare - qendrën e parë akademike franceze për studime të tilla - që të ndaj me ju të arriturat dhe sfidat e vendit tim. Kosova tashmë është njohur nga më se 60 vende, së fundi na është pranuar anëtarësia edhe në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe në Bankën Botërore. Vizioni i qeverisë së Kosovës është të ndërtojmë një vend demokratik, me zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, një shoqëri shumetnike, dhe i përkushtuar për integrim në strukturat evropiane dhe euro-atlantike. Si qeveri, ne do të vazhdojmë me qeverisjen tonë të mirë, efektive e efikase, sundimin e ligjit dhe luftën e pakompromis kundër fenomeneve negative. ***

Shumëçka ka ndryshuar në Kosovë qëkur kemi shpallur pavarësinë - është shënuar shumë përparim. Institucionet demokratike dhe shumetnike të Kosovës po vazhdojnë të forcojnë dhe të konsolidojnë të gjitha strukturat e nevojshme shtetërore të shtetit tonë të pavarur e sovran. Kushtetuta jonë moderne e demokratike është baza ligjore për realitetin e ri në Kosovë; një realitet që respekton vullnetin e popullit të Kosovës, që siguron barazi për të gjithë qytetarët e Kosovës para ligjit dhe që garanton të drejta afirmative për komunitetet pakicë në Kosovë. Në frymën e pavarësisë së Kosovës si një faktor stabiliteti në rajon - ne dëshirojmë të krijojmë marrëdhënie të mira fqinjësore me të gjitha vendet e rajonit tonë; shumica prej të cilëve veçse e kanë njohur pavarësinë tonë. Siç e theksova, një nga angazhimet tona kryesore është zhvillimi i ekonomisë sonë në një ekonomi në rritje, një ekonomi që siguron një zhvillim të qëndrueshëm. Për të arritur këtë qëllim, ne kemi investuar me të madhe në infrastrukturë, duke ulur koston transportuese për qytetarët tanë, për kalimtarët evropianë dhe për investimet si të brendshme ashtu edhe të jashtme. Për ta bërë Kosovën më joshëse për investuesit e huaj, ne kemi ulur taksat, sidomos taksat mbi të hyrat e korporatave, duke i sjellë ato në shkallë konkurruese në rajon dhe në Evropë. Më duhet të theksoj se publikimi i fundit nga Transparency International e ka radhitur Kosovën si vendi me shkallën më të ulët të korrupsionit në rajon, kur është fjala te korrupsioni në institucionet publike. Ky është një shpagim inkurajues i tërë angazhimit tonë për qeverisje të mirë dhe kundër korrupsionit e fenomeneve negative. Ne jemi të përkushtuar të vazhdojmë të punojmë për të përmirësuar përformancën tonë makroekonomike dhe për të rritur implementimin e suksesshëm të buxhetit tonë, në të njëjtën kohë duke zbutur shkallën e lartë të papunësisë dhe bilancin negativ tregtar. Synimi ynë është të bëjmë përpjekje më të mëdha për të krijuar një klimë më të favorshme për të mbështetur investitorët e mundshëm të jashtëm dhe nismat nga sektori ynë privat, meqë dinamika e aktiviteteve tona ekonomike udhëhiqet nga ky sektor. Ne nuk dëshirojmë të jemi barrë për Evropën, për fqinjët dhe miqtë tanë; ne jemi të përkushtuar të ecim para me hapa të mëdhenj në ekonominë tonë si mënyra më e mirë për të shprehur falënderimin tonë për të gjitha kontributet nga shtetet evropiane.  Kosova e re më nuk është vend i pabarazive dhe aparteidit - por është një vend që garanton mundësi të barabarta për të gjithë qytetarët e saj; që mundohet të përmirësojë jetën e gjithë qytetarëve të vet dhe të krijojë një të ardhme për ta në shtetin e tyre - në Kosovë. Rinia e Kosovës, që përbën pjesën dërmuese të popullit tonë; tashmë ka një infrastrukturë më të mirë në shkollat e tyre, arsim cilësor që synon përmbushjen e standardeve evropiane me mësimdhënës, të cilët ne jemi mundur t'i stimulojmë dhe motivojmë me rritje të pagave. Të moshuarit e Kosovës tashmë kanë pensione më të larta, një siguri më të madhe financiare. Përpjekjet tona nuk kufizohen brenda një segmenti të caktuar të vendit tonë; ne po shtrijmë dorën te tërë popullata e Kosovës, përfshirë këtu një qasje të ndjeshme për komunitetet tona pakicë. Pakicat janë të përfaqësuara në të gjitha institucionet demokratike të Kosovës, në qeverinë time, në parlament dhe në institucionet e tjera publike si në nivel qendror ashtu edhe atë lokal. Ne vazhdimisht po inkurajojmë kthimin e të gjithë qytetarëve tanë në shtëpitë dhe pronat e tyre - duke siguruar kthimin e tyre në të gjitha pjesët e Kosovës. Sot në Kosovë; serbët po kthehen në vendet e tyre të punës, turqit po qeverisin veten në nivel lokal, dhe kemi ndërmarrë një qasje aktive për të garantuar një mirëqenie të sigurt për qytetarët tanë romë. Sot, shqiptarët janë më optimistë për jetën e tyre në Kosovë, ata shohin më shumë shpresë dhe mundësi në një Kosovë të pavarur; dhe qëllimi ynë si qeveri dhe institucione të Kosovës është që t'ua ofrojmë ato. ***

Kosova e pavarur, sovrane dhe demokratike është në Evropë dhe dëshiron të jetë pjesë e Evropës. Vizitat dhe këmbimet me vendet e rëndësishme evropiane si Franca dhe aktet konkrete të bashkëpunimit mes Kosovës dhe Francës dhe të gjithë fqinjëve tanë evropianë; janë hapa të rëndësishëm drejt të ardhmes sonë të ndritshme. Qeveria ime do të vazhdojë të miratojë standardet evropiane në tregun e brendshëm, në politikat tona dhe në gjyqësorin tonë. Ne do të vazhdojmë të ndjekim dhe të përmbushim objektivat tona në përputhje me Planin e Veprimit të Kosovës për Partneritet Evropian. Ne do të vazhdojmë me jetësimin e decentralizimit - bartjen e pushtetit dhe vendimmarrjes në nivel lokal. Kosova mezi pret të marrë Studimin e Realizueshmërisë (Fizibilitetit) nga BE në vjeshtë; për të vlerësuar të arriturat tona dhe për të vazhduar të tejkalojmë pengesat. Ne jemi të përkushtuar të vazhdojmë të punojmë në mënyrë konstruktive dhe produktive dhe të bashkëpunojmë me mekanizmat ndërkombëtarë në Kosovë - për ndërtimin e një Kosove ekonomikisht të vetëqëndrueshme, paqësore dhe të pandashme, si mënyra e vetme për të ecur para.Â

(*) Fjalimi i mbajtur dje më 8 qershor 2009, në Qendrën për Studime dhe Hulumtime Ndërkombëtare (CERI) në Paris

KOMENTE