Durrës, 9 qershor NOA/E - "Kundër Portugalisë kam pritur të luajmë edhe më mirë. Shqiptarët dinë të luajnë futboll. Ekzistojnë disa dobësi dhe mungesa e koncentrimit është njëra nga to".
Këto konstatime jep në një intervistë me "Express", trajneri i Kombëtares shqiptare, Josif Kuzhe.
Ai premton se brenda një viti, Shqipëria do të ketë një ekip të ri, që nuk do të jetë më vetëm me rol pjesëmarrës në gara.
Kurse evidenton se Kosova gjithmonë ka pasur futbollistë të mirë. Duke shprehu dëshirën që "të zhvillonim një ndeshje në Prishtinë".
Dukej i kënaqur në hotelin ‘Dyrrah' në Durrës. Edhe atij i kishte lënë përshtypje mikpritja shqiptare. Flet me entuziazëm për punën e tij të re. Në fakt, ai gati sa nuk debutoi në postin e trajnerit të Shqipërisë në mënyrën më të mirë të mundshme. Vetëm 2-3 minuta e ndanin nga një barazim përballë disa nga yjet e mëdha të futbollit evropian e botëror. Sërish mungesa e koncentrimit dhe sërish një gol i pranuar në minutat e fundit. Por, këto nuk e brengosin strategun kroat. Thotë se është i kënaqur me disa gjëra që futbollistët e tij i treguan, por edhe me disa jo. Vlerëson se pas këtyre dy ndeshjeve të para, të cilat janë një lloj njohje me ekipin, do ta ketë mundësinë ta bëjë përzgjedhjen e një kombëtareje të vërtetë. Josif Kuzhe beson se brenda një viti do të ndërtojë një ekip të ri kombëtar, një ekip që mund të ketë një rol të rëndësishëm. E gëzon përkrahja e tifozëve kosovarë për Kombëtaren. Ndërsa një ditë do të donte ta zhvillonte një ndeshje miqësore me Kosovën në Prishtinë. Realisht, a keni pritur që Shqipëria të luajë aq mirë përballë yjeve portugeze? Më duhet të them se kam pritur të luajmë më mirë. Sa i përket rezultatit, nuk kam qenë i sigurt se çfarë mund të arrijmë, për shkak se Portugalia është ekip jashtëzakonisht i mirë, me futbollistë shumë të mirë. Ne i kemi hyrë këtij takimi kur kundërshtari ka qenë shumë i motivuar për arsye se nëse do humbnin pikë dhe nuk do të fitonin, ata përfundimisht do të dështonin të kualifikohen në kampionatin botëror. Kemi pritur se kjo do të jetë ndeshja më e mirë e Portugalisë apo ndeshja më e mirë në kuptimin e motivimit. Ne i kemi bërë disa gjëra mirë, megjithatë me disa gjëra tjera nuk jam i kënaqur. Por, ky ishte një fillim për mua, edhe pse nuk kam bërë shumë gjëra, p.sh. unë nuk e kam bërë përzgjedhjen e futbollistëve. Unë kam ardhur dhe ata më kanë thënë "këta janë ata 20 e sa futbollistë". Pra, kjo nuk është përzgjedhja ime. Me çfarë ishit të kënaqur e me çfarë jo kundër portugezëve? Jam i kënaqur me paraqitjen. Jam i kënaqur me lojën e disa futbollistëve, pasi disa prej tyre kanë luajtur shumë mirë. Por, nuk jam i kënaqur me lojën e mesfushës. Mesfushorët kanë mundur të reagojnë shumë më mirë. Loja pak a shumë është zhvilluar ashtu siç kam pritur. Vlerësoj se këto dy ndeshjet e para të mia janë një lloj njohje me ekipin, ndërsa për dy muajt e radhës do të kemi mundësinë të bëjmë përzgjedhjen dhe të punojmë në ndërtimin e një kombëtareje të vërtetë. Ka disa ditë keni stërvitur me futbollistët. Cilat janë përshtypjet tuaja për ekipin që ka Shqipëria? Mendoj se shqiptarët janë futbollistë të mirë. Ata dinë të luajnë futboll, e luajnë lehtë futbollin dhe janë teknikisht të mirë. Mirëpo, në momente të caktuara vijnë në shprehje disa dobësi. P.sh. Portieri Hidi ka pasur paraqitje të shkëlqyeshme, por në një pikë e humbi koncentrimin. Kështu edhe shumë futbollistë kanë kualitete të caktuara, por dikur humbin koncentrimin dhe ekipet e forta e shfrytëzojnë këtë duke na shënuar gol. Prapëseprapë e theksoj edhe një herë që futbollistët shqiptarë dinë të luajnë futboll, por u duhet më tepër disiplinë, organizim dhe koncentrim, në mënyrë që të përmirësohemi edhe më tepër. Të mërkurën do të zhvilloni ndeshjen miqësore me Gjeorgjinë, do t'i testoni futbollistët e rinj? Do të doja të shihja futbollistët e rinj, ndërsa futbollistët më të vjetër me përvojë nuk do të luajnë. Bogdani, Skela, Duro ndoshta as Cana nuk do të luajnë. Natyrisht do të luajë Dallku, i cili me Portugalinë ishte i suspenduar. Pra, do ta kem rastin t'i shoh 7-8 futbollistë të rinj.
Në të kaluarën Shqipëria ishte vetëm pjesëmarrëse në eliminatoret e Europianit dhe Botërorit, ndërsa viteve të fundit ka shënuar një rritje. Edhe pse është herët të flitet, a mendoni se Shqipëria ka potencial që në eliminatoret e Europianit të ardhshëm të luftojë për një vend në Ukrainë&Poloni 2012? Mendoj se Shqipëria munda ta ketë ndonjë rol më të rëndësishëm. Ardhja ime në postin e selektorit, ka të bëjë me synimin që të përgatitet një Shqipëri, që do të luajë më seriozisht dhe mos të jetë vetëm pjesëmarrëse. A do të ketë rinovim të Kombëtares për të arritur këtë synim? Mendoj se për një vit kemi kohë për të ndërtuar gjëra të reja, ekip të ri dhe të përzgjedhim futbollistë të rinj. Duhet ta formojmë ngadalë edhe lojën tonë. Paraardhësit tuaj nuk kanë qëndruar shumë në Shqipëri.. Unë do qëndroj një kohë të gjatë dhe kjo më bëjë të ndihem mirë, sepse këtu kaloj shumë mirë. Jam në kontakt të vazhdueshëm me shqiptarët. Do të mundohem ta përcjell nga afër kampionatin shqiptar. Cili ishte roli i Otto Bariçit në emërimin tuaj në krye të Shqipërisë? Është e vërtetë që Bariç më ka propozuar mua. Edhe pse nuk mund të thuhet se nuk njihemi shumë, kjo ta bëjë vetëm në aspektin e futbollit, sepse privatisht nuk kemi kontaktuar. Ne jemi parë vetëm 2-3 herë dhe kurrë nuk jemi dëgjuar privatisht me njëri-tjetrin, prandaj më vjen mirë që ai e ka bërë këtë sepse e ka bërë këtë profesionalisht. A do ta ndiqni rrugën e Bariçit duke sjellë emra të rinj në Kombëtaren shqiptare? Vlerësoj se Shqipëria ka 15-16 futbollistë që janë të mirë, por duhet gjetur edhe 4-5 futbollistë të tjerë. Dhe baza për këtë në çdo rast është kampionati shqiptar, por edhe futbollistët shqiptarë që aktivizohen në kampionatet e huaja. E njëjta vlen edhe për Kosovën sepse dihet se ky vend jep futbollistë shumë domethënës për Kombëtaren. Sa e njihni futbollin kosovar? Kuze: Njoh shumë shqiptarë që jetojnë në Zagreb dhe shpesh flas me ata. Mirëpo, nuk mund të them se kam informata të duhura për futbollin e Kosovës. E di se luani mirë futboll, por sigurisht kushtet nuk janë në atë nivel profesionist, pasi nuk ka financim që futbolli të zhvillohej në mënyrën më të mirë të mundshme. Shpresoj që me kalimin e kohës do të ketë lëvizje. Me sa e di basketbolli para 3-4 vjetësh ka qenë shumë i popullarizuar dhe shumë trajnerë e basketbollistë nga Kroacia ishin pjesë e klubeve kosovare. A do ta kishit zhvilluar një ndeshje miqësore me përfaqësuesen e Kosovës? Mua më gëzon jashtëzakonisht fakti që kosovarët bëjnë tifo për ekipin kombëtar. Me sa e di Shqipëria ka zhvilluar një ndeshje në Prishtinë. Edhe unë do të doja shumë qe ekipi kombëtar i Shqipërisë të vijë edhe një herë në Prishtinë. A ju kujtohet stadiumi i Prishtinës? Kam qenë me ekipin e Borcit si trajner, pikërisht në kohën kur kishin filluar trazirat. Ne patëm kaluar në epërsi 1-0, ndërsa më pas humbëm 2-1. Më kujtohet se gjyqtari pati ndihmuar shumë Prishtinën pasi atyre u nevojitej fitorja për të mbijetuar. Më kujtohen edhe shume futbollistë si Agim Cana, Kujtim Shala, Fadil Muriqi, Fadil Vokrri e të tjerë. Ka pasur mjaft futbollistë të mirë. Keni ndonjë kujtim tjetër nga Kosova? Trepça më ka mbetur në mendje. Patëm luajtur në gjysmëfinalen e Kupës të ish-Jugosllavisë me Dinamon kundër Trepçës. Mitrovicasit patën fituar pas ekzekutimit të penalltive ndërsa unë pata huq penalltinë, kështu që më ka mbetur në kujtesë.
Â