Tiranë, 9 qershor, NOA - "Transparency International Albania" ka publikuar sot një raport mbi situatën paraprake të përgatitjeve në kuadrin e procesit zgjedhor të 28 qershorit.
Ai ngre shqetësimin se partitë politike ende nuk kanë publikuar programin e tyre elektoral dhe kjo gjë mund të ndikojë në njohjen e mangët të qytetarëve me pikat e tij.
"Në dyshim ekzistenca e programeve elektorale të partive", thuhet në këtë raport.
Por në deklaratën e tyre për zgjedhjet e 28 qershorit, drejtuesit e këtij organizmi në vendin tonë kanë vënë në dukje edhe faktin se sistemi i ri zgjedhor ka dobësuar demokracinë e partive.
Më tej, organizmi i "Transparency International Albania" ka vënë në dukje edhe faktin se partitë politike duhet të publikojnë faturat e aktiviteteve të tyre.
Kjo sipas drejtuesve të saj, edhe në kuadrin e përmbushjes së kushtit për deklarimet e financimeve të secilës parti në kuadrin e zgjedhjeve në vendin tonë.
Vetëm para disa javësh, ky organizëm publikoi një raport për shkallën e perceptimit të dukurisë së korrupsionit në Shqipëri.
Ai ka evidentuar se Shqipëria kaloi 41 vende nga 2005-2008 në renditjen botërore të perceptimit të korrupsionit.
Sipas të dhënave, në vitin 2005, perceptimi i shtetasve shqiptarë për korrupsionin dhe nivelin e tij, bëri që Shqipëria të renditej në vendin e 126-të në rang botëror.
n.e/NOA