Tiranë, 10 qershor NOA - Një i ri shqiptar që blinte femra dhe i shfrytëzonte më tej për prostitucion, është ekstraduar sot, bëjnë të ditur për agjencinë e Lajmeve NOA, burime zyrtare nga Interpol Tirana.
Dashamir Koka, 33 vjeç, lindur në Durrës, u ekstradua sot në orën 11:00, nga Interpol Tirana nga Roma e Italisë drejt Shqipërisë. Gjykata e Rrethit Durrës, me vendimin nr. 394, datë 13 korrik 2006, e ka dënuar 33-vjeçarin Dashamir Koka, me 7 vjet burg, për kryerjen e veprës penale të "Shfrytëzimit të prostitucionit në rrethana rënduese". Burime nga Interpoli, i thanë agjencisë NOA, se nga hetimet e kryera dhe shqyrtimi gjyqësor rezultoi e provuar akuza e trafikut të prostitucionit.
"Dashamir Koka, gjatë periudhës kohore Maj 2000 deri në Shkurt të vitit 2003, pasi ka blerë shtetasen moldave A.D, nga shtetas të tjerë shqiptarë, e ka trafikuar dhe shfrytëzuar për qëllime prostitucioni në territorin italian", - detajoi Interpoli.
Ai sqaroi se si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Romën më datën 1 tetor 2008, u bë i mundur arrestimi, me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë i të riut durrsak, Dashamir Koka.
e.l/NOA