Gjirokastër, 10 qershor, NOA -Konsullata greke në Gjirokastër vendosi liberalizimin e vizave për disa prej kategorive në rajonin e Jugut, duke mundësuar heqjen e tyre për një afat të gjatë. Disa kategori të caktuara si studentët, gazetarët, biznesmenët, akademikët, mjekët, etj., do të mund të pajisen me viza "Shengen" afatgjata, pa paguar asnjë vlerë monetare.
Konsullata e Përgjithshme Greke në Gjirokastër, ka nisur të zbatojë nga fillimi i këtij muaji marrëveshjen e liberalizimit të vizave për disa kategori të caktuara, ashtu edhe siç ishte premtuar që prej fillimit të këtij viti.
Burimet zyrtare nga Konsullata e Përgjithshme Greke në Gjirokastër thanë dje se ky shërbim ka ardhur si rezultat i marrëveshjes dypalëshe, ndërmjet Shqipërisë dhe vendeve që aderojnë në Bashkimin Evropian, njofton gazeta shqiptare " Koha Jonë".
Sipas tyre, këto kategori do të përfitojnë lehtësimin e regjimit të vizave, pasi të jenë pajisur me pasaportë biometrike. Ky dokument lehtëson procedurat për pajisjen me vizë "Shengen", duke bërë të mundur edhe sigurimin e tyre për një kohë të gjatë. "Deri tani kanë përfituar nga ky lloj shërbimi mbi 50 shtetas shqiptarë, që banojnë në Jug të vendit", saktësuan zyrtarë të konsullatës.
NOA-INA