English

Komandanti i KFOR në Kosovë, Gaj: Do të vazhdojmë ta mbështesim Kosovën

Bruksel, 10 qershor, NOA - "KFOR-i do të vazhdojë, në pajtim me mandatin e tij operacional, të mbështesë zhvillimin e një Kosove të qëndrueshme, demokratike, shumëkombëshe dhe paqësore", ka thënë komandanti i forcave paqeruajtëse në Kosovë, Xhuzepe Emilio Gaj, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të KFOR-it.

Shënimi i kësaj dite përkon me përvjetorin e hyrjes së forcave të NATO-s në Kosovë. Në një ceremoni rasti, komandanti i paqeruajtësve tha se "viti 2009 do të shënojë arritjen e suksesshme të detyrave shtesë për KFOR-in". Në këtë kuadër, ai përmendi edhe Forcën e Sigurisë së Kosovës, të cilën e cilësoi si "një projekt shumë ambicioz, i cili është i hapur për gjithë popullin e Kosovës, pa dallim etnie, feje dhe bindjeve personale". Megjithatë, komandanti i KFOR-it nënvizoi se "për fat të keq, ende ka vende ku komunitetet e ndryshme jetojnë krah për krah, por nuk bashkëpunojnë me njëri-tjetrin". "Ne dëshirojmë që të inkurajojmë një qasje më konstruktive dhe të promovojmë projekte të zhvillimit dhe të bashkëpunimit në mes të komuniteteve të ndryshme. Këtë nismë e kam quajtur ‘Zonat e zhvillimit të Kosovës' dhe shpresoj se me mbështetjen e donatorëve ndërkombëtarë, disa projekte do të zbatohen me sukses për të mirën e popullit të Kosovës", ka thënë komandanti i paqeruajtësve në Kosovë në këtë ceremoni, ku merrnin pjesë udhëheqës të lartë të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare.

NOA-INA

KOMENTE