Korçë, 10 qershor NOA - Një 45-vjeçar është hakmarrë nga rivali i tij për pronën duke hequr posterat e vendosura në pranë zyrave elektorale të subjektit politik të Partisë Socialiste.
Ngjarja ka ndodhur mesditën e sotme në vendin e quajtur fshati "Vashtmi" Korçë, tek zyra elektorale të subjektit politik të Partisë Socialiste, kur janë hequr posterat dhe flamurët të cilët janë futur, duke i mbyllur brenda ambienteve të kësaj godine.
Policia ka shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes, dhe ka kryer veprimet hetimore e proceduriale, si dhe ka bërë këqyrjen e vendit të ngjarjes dhe intervistimin e personave dëshmitarë.
Nga kryerja e veprimeve hetimore e proceduriale ka rezultuar se autor i kësaj ngjarje të jetë 45-vjeçari Feridon Babani.
Burime nga policia thanë se Babani ka hequr posterat në shenjë hakmarrje ndaj 61-vjeçarit Muharrem Islam, me të cilin ka një konflikt pronësie.
"Në tërësinë e veprimeve hetimore e proceduriale ka rezultuar se kjo ngjarje të ketë ndodhur pas një konflikti për motive pronësie midis këtyre dy personave, pasi Feridon Babani pretendon se është pronar i truallit mbi të cilin është ndërtuar subjekti politik i Partisë Socialiste, ndërsa Muharrem Islam, pretendon se është pronar i objektit ku është vendosur qendra elektorale e Partisë Socialiste, të cilën ua ka dhënë me qira" thanë burimet zyrtare të policisë së Korçës.
Sipas policisë, gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes është konfirmuar fakti se të gjitha objektet e hequra ndodhen të sistemuara në brendësi të objektit në fjalë, dhe asnjë prej këtyre objekteve nuk është dëmtuar.
k.k/NOA