Gjirokastër, 10 qershor, NOA - Kandidatët për deputetë të Partisë Socialiste në qarkun e Gjirokastrës Arta Dade, Vangjel Tavo dhe Elvira Shapllo, kanë zhvilluar një takim me të rinjtë e këtij qyteti, ku kanë diskutuar dhe folur mbi problematikat e tyre.
Nga ana e tij, kryetari i PS-së së Gjirokastrës Florian Hysi, i ka ftuar të rinjtë gjirokastritë të çohen në 28 qershor për të mos u ulur pas kësaj date pasi siç tha ai, koha ka ardhur për të ndryshuar jetën e tyre.
Ndërsa sekretari rajonal i PS-së, Flamur Bime, i është drejtuar masës së madhe të të rinjve që të kërkojnë votën në çdo shtëpi për të maksimalizuar votën në favor të PS-së.
Elvira Shapllo, si kandidate e Partisë Socialiste për këtë qark, ka premtuar zhvillimin në perspektivë të arsimit universitar pas 28 qershorit.
Ndërsa kandidati tjetër për deputet Vangjel Tavo i cili së bashku me masën e të rinjve këndonte këngën "Çohu", ka shprehur besimin tek fitorja e PS festa e të cilës ka filluar nga Gjirokastra me takimin e të rinjve.
Në fund të takimit, kryesuesja e listës së kandidatëve për deputetë të PS-së në qarkun e Gjirokastrës, Arta Dade, është shprehur mes ovacioneve të shumta të të rinjve se qeveria e Edi Ramës do të punojë për të rinjtë pasi janë mbështetja kryesore për të ardhmen e vendit dhe njëkohësisht do të krijojë një politikë mbështetëse për të krijuar kushte për punësimin e tyre.
Duke u ndalur tek qeveria e demokratëve, Dade është shprehur se kryeministri Berisha ka mashtruar shqiptarët me liberalizimin e vizave.
"Në 2010 ne do të jemi ata që do ta bëjmë realitet këtë premtim", është shprehur kandidatja për deputete Arta Dade.
n.e/NOA