Tiranë, 10 qershor NOA - Policia e Tiranës publikoi sot një plan special masash, për parandalimin e ngjarjeve kriminale, sigurimin e rendit dhe qetësisë, në rrugë, në plazhe e në zona të tjera turistike, gjatë sezonit veror që sapo ka nisur.
"Duke vlerësuar, organizimin e shërbimeve policore të Drejtorisë së Policisë të Qarkut Tiranë gjatë sezoneve turistike verore të viteve të mëparshme, dhe në zbatim të detyrave të vëna nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, për strukturat e Policisë së Shtetit gjatë sezonit turistik veror 2009", - tha për agjencinë e lajmeve NOA, zëdhënësja e policisë së Tiranës, Alma Katragjini.
Këto masa vijnë nisur nga fakti se gjatë sezonit turistik veror, zona e bregdetit të Kavajës përballet me shtimin e madh të popullsisë, të cilët vijnë nga rrethet e tjera të vendit.
Ndërkohë, ka një fluks të madh të shtetasve shqiptarë dhe të huaj që vijnë nëpërmjet Aeroportit "Nënë Tereza' në Rinas apo pikave të tjera kufitare, për të kaluar pushimet në bregdet dhe në zona të tjera turistike të Qarkut të Tiranës.
Po ashtu, ka një shtim të numrit të automjeteve në qarkullim dhe dendësi të trafikut. "Me qëllim, për të krijuar kushte normale pushimi për shtetasit shqiptarë dhe turistët që do të frekuentojnë plazhin në bregdetin e Kavajës si në Golem, Spillè, etj., apo zonat turistike të Qarkut të Tiranës, për Sezonin Turistik Veror të vitit 2009, janë marrë masa në drejtim të parandalimit të veprimtarisë kriminale dhe rritjes së sigurisë në vendet e pushimit", - ka detajuar Katragjini.
Po ashtu, ka nisur sot, zbatimi i masave në drejtim të parandalimit të aksidenteve automobilistike dhe rritjen e sigurisë në rrugë.
"Ndërkohë po punohet për rritjen e cilësisë së shërbimit policor gjatë kontrollit të territorit në Qarkun e Tiranës, krijimit të kushteve normale dhe të garancisë për rend dhe siguri dhe ardhjes në ndihmë të komunitetit", - ka shtuar Katragjini.
Nga ana tjetër, po kërkohet edhe mbajtja nën kontroll të personave me precedentë policore dhe kapjen e personave të kërkuar nga Policia. "Nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë, është hartuar Plani i masave "Për parandalimin e ngjarjeve kriminale, sigurimin e rendit dhe qetësisë, lëvizjen dhe qarkullimin normal të mjeteve dhe këmbësorëve në rrugë, në plazhe e në zona të tjera turistike, gjatë Sezonit Veror 01 Qershor-30 Shtator 2009", - konfirmoi Katragjini.
Ajo tha se ky plan, zyrtarisht hyn në fuqi më 1 qershor dhe përfundon më 30 shtator 2009 dhe u është përcjellë për t'u vënë në zbatim nga Komisariatet e Policisë Nr.1, 2, 3, 4, 5, 6, Rrugore Tiranë dhe Komisariati i Policisë Kavajë. Katragjini tha se nga Sektorët dhe Komisariatet e kësaj Drejtorie, janë marrë masa për të parandaluar e goditur në kohë veprimtari kriminalë, në vende turistike, hotele, bare, restorante etj. Zëdhënësja konfirmoi se "punonjësit e Policisë në Zona për këtë qëllim, kanë marrë informacione të mjaftueshme mbi situatën e rendit dhe sigurisë publike në zonat që mbulojnë, ku takimet dhe informacionet janë shpejtuar në drejtim të rritjes së sigurisë në hotele, bare, restorante etj.".
Ndërkohë, janë marrë masa për mbulimin e akseve rrugore: Kamëz-Tiranë, Rinas-Tiranë, Tiranë-Ndroq-Plepa, Tiranë-Vorë-Durrës, Tiranë-Kërrabë, Tiranë-Dajt, dhe ne akset rrugore të rrethit të Kavajës, me shërbime të policisë rrugore dhe ato të policisë së rendit, gjatë ditëve të javës dhe sidomos në ditët e shtuna dhe të diela, duke kryer dhe shërbime suplementare policie. Në përfundim të informacionit dhënë për NOA, Katragjini i siguroi se strukturat e Drejtorisë së Policisë të Qarkut Tiranë dhe Komisariatet vartëse të saj, janë të angazhuara për parandalimin e ngjarjeve kriminale, sigurimin e rendit dhe të qetësisë, lëvizjen dhe qarkullimin normal të mjeteve e këmbësorëve në rrugë, në plazhe dhe në zona të tjera turistike, gjatë Sezonit Turistik Veror 2009".
e.l/NOA