English

"Tirana Ruletë", dështon superaksioni policor në Tiranë ndaj kazinove

Tiranë, 10 qershor NOA - Superaksion me pjesëmarrje të gjerë dhe shtrirje në të gjithë kryeqytetin, është zhvilluar pa sukses 24 orët e fundit, në përpjekje për të frenuar kazinotë dhe pikat e tjera të lojërave të fatit që abuzojnë duke korrur fitime pa derdhur detyrimet ndaj shtetit.

Burime të seksionit Kundër Krimit Ekonomik-Financiar, thanë sot për agjencinë NOA, se në bashkëpunim me Seksionin e Pastrimit Parave, Seksionin Kundër Korrupsionit pranë Policisë së Tiranës dhe Policinë Tatimore, kanë zhvilluar një operacion policor të koduar "Tirana Ruletë", ku u arritën të identifikohen, të parandalohen, aktivitetet e jashtëligjshme të lojërave të fatit. Për këtë qëllim, është ushtruar një kontroll i imtësishëm në pika të ndryshme të lojërave të fatit në Kryeqytet.

Por aksioni, pavarësisht faktit se dihet që "lumi" i kazinove që gëlon në kryeqytet, më së shumti nuk paguan taksa dhe tatime në mënyrë të rregullt, ka përfunduar me procedimin të vetëm disa pikave loto sporti.

"Për veprat penale të "Organizimit të palejuar të lojërave të fatit" dhe të "Vënies në dispozicion të lokaleve për lojëra të palejuara", u kryen veprime procedurale ndaj 6 pronarëve të pikave "Loto sport", të cilët do të ndiqen në gjendje të lirë", - pohoi policia.

Ajo tha se këtyre subjekte, u është ushtruar kontroll në drejtim të dokumentacionit dhe pajisjeve të lojërave të fatit që dispononin në ambientet e tyre, nga ku rezultoi se nuk dispononin dokumentacion tatimor në lidhje me këtë lloj aktiviteti, ku dhe pajisjet e lojërave të fatit nuk ishin të deklaruara.

Mësohet se në cilësinë e provës materiale u sekuestruan pesë kompjuterë lojërash fati për loto sporti, një printer, tre pajisje kompjuterësh si dhe 21 makineri lojërash fati kompjuterike.

Zyrtarisht, policia nuk sqaroi nëse operacioni i koduar do të vazhdojë për të përmbushur misioni që ka dhe në emrin "Tirana Ruletë", për të ndëshkuar kazinotë që abuzojnë me detyrimet dhe ligjet e shtetit.

e.l/NOA
KOMENTE