English

Berisha, nga Divjaka: Edi Rama, merr çdo vendim, zgjedhjet do të bëhen

Divjakë, 11 qershor NOA - Kryeministri Sali Berisha mori pjesë dje në mbrëmje, në përurimin e fillimit të punimeve për sistemimin dhe asfaltimin e rrugës Divjakë-Pushimi i Shoferit në Lushnjë.

Kjo rrugë ka një gjatësi 27 kilometra dhe investimi i saj kap vlerën 1.1 miliardë lekë. Projekti i rrugës është i konceptuar me të gjithë elementët e një rruge të standardeve më moderne.

Duke përfituar nga ky rast, Berisha zhvilloi edhe një miting me qytetarët e Divjakës, ku u ndal gjatë në punën katërvjeçare të qeverisë së tij dhe planet për të ardhmen nëse do të fitojë një mandat të dytë.

Më tej, Berisha sulmoi kreun e Partisë Socialiste Edi Rama, duke e akuzuar atë se po bën ç'është e mundur që të realizojë një plan për bojkotimin e zgjedhjeve të pritshme të 28 qershorit.

"Shqiptarët kanë vendosur të rikthejnë vitin ‘92, lavdinë e tyre elektorale. Por, një njeri, i cili duket se nuk e ka as nonagramin e fundit të moralit politik dhe njerëzor, do të bojkotojë zgjedhjet dhe ky është Edi Rama", - tha berisha.

"Edi Rama po përpiqet të krijojë koalicionin e bojkotit", - vijoi Berisha duke iu drejtuar në distancë: "Unë dua t'i them këtu para jush se ne do të votojmë në të drejtën tonë, do të votojmë si qytetarë të një vendi anëtar të NATO-s, do të votojmë të lirë, do të votojmë me maturi politike. Por, në qofte se ti vendos që për karrigen të bojkotosh zgjedhjet, koshi i plehrave të historisë të pret,se ne do të fitojmë".

Duke vijuar sulmin ndaj kryetarit të PS që drejton edhe Bashkinë e Tiranës, Berisha tha: "Ti, Edi Rama, tregon se ke mbetur në komplekset e lustraxhiut të bustit, ke mbetur në labirintet e atyre për të cilët vota ishte plumb për armikun", - duke e ironizuar me "faktin" se "ty Edi Rama, të ka mbetur ora tek baballarët e tu".

Në këtë pikë, Berisha lëshoi një paralajmërim të fortë ndaj Ramës: "Por, unë të them edhe një herë këtu që mos i llogarit hesapet gabim, sepse me ty dhe pa ty shqiptarët do ti bëjnë zgjedhjet, sepse me ty dhe pa ty do të bëjmë zgjedhjet më të mira, sepse me ty dhe pa ty do të ndërtojmë Shqipërinë evropiane. Merr çdo vendim".

Kryeministri nuk harroi të përmendë dhe në Divjakë, faktin se Rama refuzoi të kandidojë për deputet, që do të çonte në lënien e mandatit të kryebashkiakut.

"A keni parë apo keni dëgjuar ndonjëherë ju dashur qytetarë, i pyesni edhe socialistët në botë, që kryetari i partisë kryesore opozitare ta nisë partinë në zgjedhje dhe vetë të fshihet nën karrigen e lejeve të ndërtimit të Bashkisë?".

Kurse po vetë, dha përgjigjen: "Këtë turp nuk e ka bërë kush kurrë, këtë turp nuk ia lejon vetes asnjë politikan. Madje, këtë turp nuk e kanë bërë as edhe në vendet gjysmë demokratike, pasardhësit e klikave komuniste. Nëse ti do ta bësh sot, bëje. Ne do të shkojmë në zgjedhje".

Në përfundim të "monologut" me Ramën, Berisha lëshoi dhe një tjetër ultimatum: "Po të jap afat 24 orë dhe nesër, në qoftë se do, të ndryshojmë ligjin dhe vihu në krye të listës".

Kurse shprehu dhe një herë bindjen se shqiptarët nuk do të pyesin Edi Ramën, por "ata do të shkojnë në zgjedhje".

e.l/NOAÂ

KOMENTE