English

Konstatimi i Bankës së Shqipërisë: Shqiptarët po heqin depozitat nga bankat

Tiranë, 11 qershor NOA - Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim gjendjen e sistemit bankar në fund të tremujorit të parë të vitit 2009 dhe ka konstatuar vazhdim të dukurisë së heqjes së kursimeve të shqiptarëve nga bankat e nivelit të dytë.

"Fenomeni i tërheqjes së depozitave, i cili u shfaq fillimisht gjatë muajit tetor 2008, ka vijuar edhe gjatë tremujorit të parë të vitit 2009", - evidentohet në raportin e mbledhjes.

Në fund të marsit totali i depozitave të sistemit paraqitet 634.5 miliardë lekë, 2.5 për qind më pak krahasuar me fundin e vitit.

Gjithashtu, që nga muaji tetor, muaji mars 2009 përbën muajin me rënien më të vogël. Bazuar në të dhënat operative, për periudhën 1 prill 2009 deri në 08 qershor 2009 rezulton se depozitat në tre monedhat kryesore kanë shfaqur rritje.

Depozitat në lekë tregojnë një rritje prej 3 për qind, depozitat në euro 0.2 për qind dhe ato në usd 0.3 për qind.

Një burim i rëndësishëm financimi për disa nga filialet apo degët e bankave të huaja në Shqipëri janë huatë e marra nga bankat mëma, bankat e tjera të grupit dhe institucionet të tjera financiare jorezidente.

Gjatë këtij tremujori këto fonde rezultojnë të rritura me 5.5 për qind, ndërsa evidentohet edhe rritja e rëndësisë së tyre ndaj totalit të burimeve.

Treguesi "kredi ndaj totalit të depozitave" duket të jetë rritur gjatë tremujorit të parë të vitit në 4.3 pikë përqindje më e lartë krahasuar me dhjetorin 2008.

Rritja e treguesit vjen nga rënia e depozitave nga klientët, ndërsa portofoli i kredisë ka vijuar rritjen. Vlerësimi i përshtatshmërisë së aktiveve likuide të sistemit tregon se ato janë të mjaftueshme për të mbuluar rënien e nivelit të depozitave sipas disa skenarëve.

Rezultati neto i sistemit bankar për tremujorin e parë të vitit 2009, ndryshe nga një tremujor më parë, raportohet në një vlere pozitive prej rreth 275 milionë lekë. Treguesi përllogaritet më pak sesa mesatarja tremujore e vitit 2008, prej rreth 1,833.9 milionë lekesh.

Ndikimin kryesor e kanë dhënë shpenzimet për provigjone nga kreditë (të cilat përllogariten rreth 2 herë më të larta) si edhe shpenzimet e veprimtarisë të cilat tregojnë vijimësinë e zgjerimit të vëllimit të aktivitetit dhe veprimtarisë që ka pësuar sistemi bankar kundrejt një viti më parë.

***

Në mbledhje, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, vendosi të miratojë rregulloren "Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit", atë mbi "Mbi raportimet në Bankën e Shqipërisë sipas Sistemit Raportues të Unifikuar (SRU)", si dhe disa ndryshime në rregulloren "Për administrimin e rrezikut nga ekspozimet e mëdha të bankave, por edhe një shtesë në rregulloren "Për administrimin e rrezikut të kredisë" .

e.l/NOA

KOMENTE