Mat, 11 qershor, NOAÂ - Kryetari i partisë "Lëvizja e Legalitetit", Ekrem Spahiu, zhvilloi takime me banorët në njësitë vendore të rrethit të Matit duke prezantuar Besnik Muratin, i cili kandidon në emër të kësaj partie për zgjedhjet e 28 qershorit.
Në komunën Lis, e cila drejtohet për disa mandate radhazi nga n/kryetari i degës se PLL Agim Selita, Spahiu tha se matjanët e votojnë Legalitetin, jo vetëm për shkak të nostalgjisë së tyre për Mbretin Zog, por edhe sepse Legaliteti ka të njejtën filozofi dhe resurse për të qeverisur në dobi të komunitetit.
"Komuna është shembulli më i mirë i materializimit në praktikë të parimeve dhe vlerave tona qeverisëse, ku arritjet janë të dukshme dhe të prekshme nga të gjithë banorët e kësaj komune", u shpreh Spahia.
Nga ana e tij, kryetari i komunës Lis, Agim Selita, i siguroi mbështetje të plotë kandidatit Besnik Murati dhe shprehu besimin e patundur që zgjedhja e Muratit si deputet në Kuvendin e Shqipërisë do të ndikojë edhe më shumë në rritjen e vëmendjes ndaj komunës Lis dhe gjithë rrethit të Matit.
Kryetari i PLL-së, Ekrem Spahiu i siguroi të pranishmit për angazhimin konkret ë kësaj partie për përfundimin sa më shpejt të rrugës Sukbull-Vig-Muhurr, ndërtimin e rrugëve rurale nëpër komuna dhe fshatra, nxitjen e investimeve në rrethin e Matit, përfundimin e kanalit ujitës te Klosit deri në Sukbull, kreditimin e fermerëve për hapjen e punishteve të prodhimeve bujqësore e blegtorale etj.
n.e/NOA