English

Ministria e Brendshme: Nuk heqim nga lista 100-vjeçarët nëse nuk deklarohen të vdekur

Tiranë, 11 qershor NOA - Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme ka dalë sot në një konferencë për shtyp ku deklaroi se listat e zgjedhësve në Shqipëri janë ndërtuar mbi bazën e një regjistri të ri elektronik të standardeve më të mira evropiane.

"Për herë të parë në historinë e zgjedhjeve në Shqipëri lista paraprake e votuesve u shpall 4 muaj përpara ditës së zgjedhjeve, duke ofruar mundësi të plota për çdo qytetar të kontrollonte dhe korrigjonte gabimet e mundshme në atë listë.

Lista përfundimtare e zgjedhësve është një listë e hartuar dhe konfirmuar zyrtarisht nga çdo kryetar, i çdo njësie të qeverisjes vendore" tha Fatmir Konja, zëdhënësi i ministrisë së Brendshme.

"Është e vërtetë që në listat e zgjedhësve ka një numër qytetarësh me moshë mbi 100 vjeç, por përsa kohë ata ligjërisht janë shtetas që nuk janë deklaruar të vdekur nga familjarët e tyre, siç e parashikon ligji, askush nuk mundet t'i fshijë ata nga Regjistri Kombëtar i Shtetasve.

Duket krejt i paarsyeshëm pretendimi i Partisë Socialiste për të konsideruar të vdekur çdo shtetas që ka mbushur moshën 90 vjeç" shtoi më tej Konja.

Ndërkohë që në lidhje me procesin e paisjes së qytetarëve me letërnjoftimin elektronik, Ministria e Brendshme sqaroi edhe njëherë opinionin publik, forcat politike dhe të gjithë aktorët e interesuar, se pas datës 15 Qershor, sapo të mbyllet procesi i aplikimeve për të gjithë qytetarët pa pasaportë, do të dërgohet pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe forcave politike të interesuara, lista e plotë e të gjithë shtetasve që kanë aplikuar për letërnjoftimin elektronik, si dhe lista e plotë e të gjithë shtetasve pa pasaportë që do të mbeten pa u paraqitur për të aplikuar.

k.k/NOA

KOMENTE