English

Policia kap në një banesë të braktisur në Tiranë, vrasësin e adoleshentit

Tiranë, 11 qershor NOA - Zyra e hetimit të vrasjeve pranë policisë së Tiranës ka mundur të identifikojë dhe të çojë në qeli autorin kryesor të dyshuar për vrasjen me thikë të 18-vjeçarit Jeton Ferhati.

Ngjarja e cila ndodhi paraditen e djeshme në Laprakë, vuri në lëvizje policinë e kryeqytetit e cila ditën e sotme çoi në qeli autorin e dyshuar Elvis Meta 24-vjeç, ndërsa është shpallur në kërkim vëllai i tij i cili dyshohet të jetë bashkëautor në krim.

"Ngjarja, ka ndodhur dje në trotuar në kryqëzimin e Laprakës, ku viktima Jeton Ferhati, 18-vjeç, pas një grindje të çastit me dy vëllezërit Meta, është goditur me thikë nga Elvis Meta. Paraprakisht, dyshohet se ngjarja ka ndodhur pas një konflikti, për motive të dobëta, të ndodhur midis tyre" bëri të ditur zyrtarisht policia e kryeqytetit. Burime nga policia thanë për agjencinë e lajmeve NOA se Meta ishte fshehur në një banesë të braktisur të ndodhur në afërsi të bregut të lumit në Tiranë.

Policia përgjatë gjithë natës kishte krehur zonën përreth duke rënë në gjurmët e njëri prej vëllezërve i cili dyshohet se ka goditur se Ferhatin.

Adoleshenti Ferhati pasi u qëllua disa herë me thikë u transportua menjëherë në Spitalin Ushtarak por ndërroi jetë sapo mbërriti në duart e mjekëve të cilët deklaruan se ai kishte marrë plagë të rënda në kokë.

Ndërkohë që policia po punon për kapjen e autorit të dytë të dyshuar.

Dy vëllezërit akuzohet për veprën penale të "Vrasjes me dashje".

k.k/NOA

KOMENTE