Tiranë, 11 qershor, NOA Foto Update - Zgjedhjet e 28 qershorit janë një test për të ardhmen evropiane të vendit tonë, prandaj ato duhet të zhvillohen të lira dhe me standardet e kërkuara prej ndërkombëtarëve.
Ky është apeli që ka hedhur për procesin zgjedhor të 28 qershorit në vendin tonë, kreu i shtetit, Bamir Topi, gjatë mbledhjes së Këshillit të Lartë të Drejtësisë.Sipas tij, në këtë kuadër përfshihet edhe procesi i pajisjes me karta identiteti të qytetarëve, prandaj ai u ka drejtuar thirrje të gjithë atyre që nuk janë pajisur ende me to, të rendin për t'i marrë.
"Të aplikojë për kartat e identetit kush nuk e ka bërë ende", mësohet të ketë thënë në mbledhjen e KLD-së presidenti Topi.
Nga ana tjetër, ai ka kërkuar që institucioni i Këshillit të Lartë të Drejtësisë të jetë jashtë influencimeve të partive politike në këtë proces zgjedhor.
Më pas, ai ka folur edhe mbi rolin e madh që ka Kolegji Zgjedhor për realizimin e një procesi të rregullt dhe me standarde.
"Kolegji Zgjedhor t'i përmbahet Kushtetutës dhe ligjit për ankesat. Ky institucion ka përgjegjësi maksimale për mbarëvajtjen e zgjedhjeve në vendin tonë. Prandaj, ai duhet të jetë korrekt me ankesat që do mbërrijnë dhe vendimet që do të japë. Kemi pritshmëri të lartë ndaj Kolegjit", ka deklaruar kreu i shtetit lidhur me një fakt të tillë.
n.e/NOA