Tiranë, 11 qershor NOA - Këshilli i Ministrave vendosi që qytetarët shqiptarë që do të legalizojnë objektet do të kenë të drejtë që 80 % të vlerës së tyre ta paguajnë me letra me vlerë, përveç taksës së infrastrukturës, e cila është kompetencë e qeverisjes vendore.
Gjatë mbledhjes së qeverisë, kryeministri u shpreh se letrat me vlerë të emetuara nga qeveria në vitet 95-96, të cilave iu është zgjatur afati i përdorimit para tre vitesh, janë një detyrim madhor dhe i padiskutueshëm i qeverisë ndaj qytetarëve shqiptarë.
"Sot unë do të trajtoj një problem të veçantë që ka të bëjë me letrat me vlere. Letrat me vlerë të emetuara nga qeveri ime në vitet 95-96 dhe të zgjatura afatet e përdorimit të tyre sërish nga qeveria ime, para tre vitesh janë një detyrim madhor dhe i padiskutueshëm i imi ndaj qytetarëve shqiptarë sepse unë kam qenë president i vendit në fuqi ekzekutive, kur kam miratuar dhe urdhëruar emetimin e tyre" u shpreh Berisha.
"Kemi vendosur që i tërë procesi i legalizimit përveç taksës së infrastrukturës, e cila është taksë e qeverisë vendore dhe unë nuk kam ndërmend që të ngushtoj dhe as të ndërhyj në kompetencën e tyre, por as edhe tu ngushtoj atyre burimet e të ardhurave. Ajo është një taksë e vendosur me pëlqim të përbashkët me bashkitë dhe komunat e vendit, dhe mbetet e paprekur. Pra përveç kësaj takse qytetarët që do të legalizojnë objektet do të kenë të drejtë që 80 % të vlerës ta paguajnë me letra me vlerë." tha më tej kryeministri.
Ndërkohë që për sa i përket qytetarëve, të cilët e kanë paguar vlerën njëqind për qind, kryeministri sqarojë se qeveria do tu rimbursojë 80 % të vlerës, të cilën ata do ta paguajnë me letra me vlerë.
Kryeministri theksoi se në këtë mënyrë hapet për letrat me vlerë një nga tregjet më të fuqishëm të vendit, i cili bazohet në legalizimin e 500 mijë objekteve.
Kryeministri kërkoi nga Ministria e Financave dhe Ministria e Punëve Publike përgatitjen e gjithë kuadrit të nevojshëm ligjor që ky vendim të hyjë në fuqi sa më par
k.k/NOA