English

Raporti: Shërbimet e udhëtimit, pesha më e madhe për të ardhurat e "shërbimeve"

Tiranë, 11 qershor, NOA - Shërbimet e udhëtimit zënë peshën më të madhe në të ardhurat dhe shpenzimet e shërbimeve në tërësi në vendin tonë, me përkatësisht 70% dhe 67%.

Një fakt i tillë pohohet në raportin e fundit të Bankës së Shqipërisë, sipas të cilit eksporti i shërbimeve të udhëtimit i ka siguruar ekonomisë vendase rreth 212 milionë euro ose 4% më pak se sa në vitin 2008.

"Rënia e të ardhurave gjatë këtij tremujori është kryesisht pasojë e rënies së lehtë të shpenzimeve mesatare ditore të jorezidentëve vizitorë. Ndërkohë, rezidentët kanë shpenzuar në udhëtimet e tyre jashtë vendit rreth 220 milionë euro ose 4% më tepër se një vit më parë. Në këtë rritje ka ndikuar rritja e shpenzimeve mesatare ditore, dhe një rritje e lehtë në kohëzgjatjen e qëndrimit, edhe pse numri i udhëtarëve shqiptarë ka shënuar rënie ndaj tremujorit të parë të vitit të kaluar", thuhet konkretisht në faqet e këtij raporti.

Ndërkaq, citohet se llogaria e të ardhurave u mbyll me një bilanc negativ prej 4 milionë eurosh. Të hyrat në valutë të kësaj katëgorie ranë rreth 15%, ndërkohë që, daljet u rritën me 25%. Dy burimet kryesore të të ardhurave kanë qenë puna e punëtorëve sezonalë dhe kufitarë, dhe të ardhurat nga investimet. Shqipëria gjatë tremujorit të parë të vitit 2009 ka paguar 7.2 milionë euro për të shlyer interesat mbi borxhin e saj të jashtëm.

Transfertat korente neto u vlerësuan në rreth 213 milionë euro, nga të cilat rreth 196 milionë euro kanë hyrë në formën e dërgesave të emigrantëve. Këto të fundit shënuan një rënie vjetore prej rreth 8% nga vlera prej 213 milionë eurosh e një viti më parë.

n.e/NOA

KOMENTE