English

Shënohet me mori aktivitetesh, 131 vjetori i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit

Prizren, 11 qershor NOA - Rrjeti i Organizatave Shqiptare (RrOSh), i përbërë nga 20 organizata të ndryshme shoqërore nga të gjitha trevat e shqiptarëve, organizoi dje shënimin e përvjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Duke filluar nga mëngjesi, e deri në momentet e dërgimit të kësaj komunikate, qyteti i Prizrenit ishte përshkuar nga aktivitete të ndryshme - pjesë të këtij manifestimi.

Shënimi i 131 vjetori u hap në ora 09:00, te Kompleksi i Lidhjes së Prizrenit, nga Lizandër Saraçi i Klubit Kombëtar nga Tirana, pjesë e RrOSh-it, i cili e cilësoi 10 Qershorin si një ndër datat më të rëndësishme të kombit shqiptar.

Ai tha që rëndësia e Lidhjes nuk është vetëm historike, por më shumë aktuale e veçanërisht për të ardhmen.

"Mësim e detyrë janë bashkimi dhe organizimi, që bashkë të zhvillohemi e forcohemi. Në një hapësirë shqiptare - se jemi një komb", - përfundoi Lizandri.

Pjesëmarrësit, më tej ecën deri në bregun e Lumbardhit të Prizrenit, për t'i shikuar fotografitë e vendosura aty në kuadër së ekspozitës së fotografive të përzgjedhura nga aktivistë të RrOSh-it.

Këto fotografi paraqisnin bukuritë natyrore të viseve shqiptare, trashëgiminë kulturore dhe historike të shqiptarëve, momentet historike dhe sportive të shqiptarëve, si dhe fotografi nga aktualiteti dinamik i shqiptarëve (momente pune e prodhimi).

Në ora 10:00 u hap Tryeza e rrumbullakët mbarëkombëtare me titull "Rëndësia politiko-ushtarake e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit".

Tryeza ishte e ndarë në dy sesione: Rëndësia politike e Lidhjes dhe ndikimi i saj në formacionin identitar kombëtar si dhe Trajtimi i aspektit ushtarak të Lidhjes. Në të morën pjesë historianë, sociologë, analistë e publicistë nga Tirana, Prishtina, Shkupi, Prizreni, Gjakova e vende tjera të shqiptarëve.

Tryezën e hapi Albin Kurti nga Lëvizja Vetëvendosje!, pjesë e RrOSh, i cili informoi rreth asaj se çka është RrOSh dhe cili është qëllimi i tij.

Temat që u trajtuan nga panelistët në këtë tryezë janë: Lidhja e Prizrenit dhe ne sot; Probleme dhe paralele nga Lidhja e Prizrenit te pavarësia e Kosovës; Përplasje në vlerësimin e faktorit ndërkombëtar dhe rolit të shqiptarëve të Kosovës në rajon në vitet e Lidhjes së Prizrenit dhe në ditët tona; Lufta propagandistike e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit për afirmimin e të drejtave të shqiptarëve; Lidhja e Prizrenit; Program imazhi dhe vizion perëndimor për krijimin e shtetit komb shqiptarë; Rëndësia Politike Kombëtare e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit; pastaj u fol edhe për rëndësinë e bashkimit kombëtar në përgjithësi si dhe rëndësinë e kuptimit të bashkimit si vullnet.

Në aktivitet, referuan Enis Sulstarova, Marenglen Verli, Jani Sota, Pëllumb Xhufi, Masar Rizvanolli, Myzafer Bislimi, Parim Kosova, Adem Demaçi, Hysamedin Feraj dhe Enver Baftiu

Ndërsa mbahej tryeza, jashtë në rrugët kryesore të Prizrenit vazhdonin aktivitetet tjera. Prej orës 10:00 në Sheshin Shatërvan në Prizren ishte hapur Panairi i punimeve artizanale dhe i librave shqip.

Ndërkohë që gjatë tërë kohës, po në shesh, kishte këngë dhe valle tradicionale të shqiptarëve të ekzekutuara nga ansamble të ndryshme të këngëve dhe valleve.

Në orën 12:00 nëpër Prizren defiluan pjesëtarët e Klubit të Motoristëve të Prizrenit, të cilët bartnin simbolet kombëtare shqiptare.

I tërë qyteti i Prizrenit ishte dekoruar me flamuj kuq e zi nga aktivistët e organizatave të RrOSh-it, dekorim ky ku kishin kontribuar edhe klubi i tifozëve "Kuq e Zi".

a.b/NOA

KOMENTE