English

Zbulohet "polici" që vidhte qytetarët. Ja si i mashtronte

Tiranë, 11 qershor NOA - Policia e Tiranës, më në fund identifikon dhe çon në qeli "policin" i cili zhvaste në rrugë të moshuarit dhe invalidët.

Mesditën e sotme Strukturat e Hetimit të Policisë së kryeqytetit, organizuan një operacion të koduar "Hija" i cili u finalizua me arrestimin e 36-vjeçarit Genci Xholi lindur e banues në Laç.

Burime nga policia thanë se Xholi duke u paraqitur si punonjës i policisë së shtetit, dyshohet se ka vjedhur përmes mashtrimit mbi 20 shtetas, kryesisht të moshave të thyera dhe invalid, duke improvizuar kontrolle policore, dhe duke u vjedhur vlerat monetare që kishin me vete si, sende me vlerë, celular etj. Denoncimet e para në ngarkim të një "polici" që vidhte qytetarë u regjistruan rreth tre muaj më parë nga policia e Tiranës.

Ka qenë një i moshuar nga Lushnja i cili sapo kishte zbritur nga autobusi i një linje urbane për të shkuar në spital te një afërmi i tij në Tiranë, kur është ndaluar nga nje person.

Ai iu prezantua të moshuarit si punonjës policie, ndërsa i ka thënë se ai ngjasonte me një të dyshuar ndaj dhe duhet ta kontrollonte.

Pasi e ka ulur në një lokal lushnjarin, personi i prezantuar si polic e ka detyruar atë të nxjerrë të gjitha sendet personale ndër to edhe portofolin. Kjo gjë nuk është kundërshtuar nga i moshuari i cili po i bindej "urdhrave të policit".

Por "polici" i ka thënë "shënjestrës" së tij se po largohej vetëm për pak minuta sa të njoftonte kolegët e tij dhe më pas do të kthehej sërish por një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

Personi i nuk është kthyer më duke marrë me vete edhe sendet personale të të moshuarit.

Fill pas vjedhjes i dëmtuari njoftoi policinë.

Mirëpo si i moshuari nga Lushnja, policinë e njoftuan edhe qytetarë të tjerë në ditët në vijim.

Ai vepronte njësoj të në gjitha rastet, ku veçonte njerëz të dobët, si të moshuar apo invalidë për t'iu komunikuar atyre se mund të ishin persona të dyshuar për ndonjë ngjarje dhe më pas u vidhte sendet personale.

Policia u vu në lëvizje për të identifikuar dhe kapur autorin për të cilin dyshohej se mund të ishte edhe punonjës policie pasi ai njihte mirë procedurat e ndalimit dhe shoqërimit të personave.

Burime nga policia thanë se për të zbuluar autorin u zhvilluan hetime nga Strukturat e Policisë së Tiranës dhe Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm. Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë, u bëri thirrje qytetarëve, të cilët janë vjedhur më anë të mashtrimit nga 36-vjeçari, të paraqiten pranë Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë, për kryerjen e veprimeve hetimore të nevojshme. k.k/NOA

Â

KOMENTE