Tiranë, 12 qershor NOA - Vëllezërit Veliaj u kallëzuan sot në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë për evazion fiskal në shifra qindramiliona lekë, njoftoi kryetari i Lëvizjes "Zgjohu", Altin Goxhaj.
Ky kallëzim u krye nga Lëvizja ZGJOHU nëpërmjet Avokat Altin Goxhaj në cilësinë e qytetarit që ka dijeni për një shkelje ligjore dhe ka detyrimin për ta denoncuar.
Goxhaj informoi se po ashtu, u plotësuan të dhëna për "zhdukjen e Fondacionit MJAFT bashkë me 300 mijë euro të Kreditimit të Punësimit të të rinjve shqiptarë si dhe ushtrimin e një veprimtarie të paligjshme kreditimi të ndaluar qartazi nga legjislacioni shqiptar".
"Janë 5.4 milionë Euro që ka thithur Erion Veliaj nëpërmjet 9 Mjaftëve të tij të regjistruar apo gjysmë të regjistruar juridikisht me emra të ndryshëm me qëllim krijimin e një mjegulle për të thithur miliarda lekë një pjesë e të cilave u faturuan nga biznesi informal Grafik Propaganda i të vëllait të Velisë duke realizuar kështu një skemë spektakolare të tipit sorosian të kalimit të parave nga një donator tek një shoqatë pastaj tek një biznes dhe kështu përfitimet kanë kapërcyer çdo standard të njohur eksperienca e deritanishme", - komentoi Goxhaj.
Sipas tij, "këta maestro të grabitjes së parave të shoqërisë civile për qëllime përfitimi e kanë kthyer skemën e tyre në një model që ja vlen të studiohet në katedrat e fakulteteve të drejtësisë pasi ky është modeli i politikës së re".
Goxha theksoi se "Veliaj nuk është i vetmi në këtë skemë pasi jo vetëm ai ka krijuar biznes për të kaluar paratë e shoqërisë civile nga një dorë në tjetrën|.
Për Goxhajn, "kallëzimi penal për evazion fiskal i familjes Veliaj, do të sjellë një histori investigimi në dhjetëra numra bankarë që kanë qarkulluar paratë e shoqërisë civile shqiptare dhe janë kontrolluar nga klani i pionierëve të Edi Ramës me Veliajn në krye". Para një jave u denoncua biznesi i të vëllait të Erion Veliajt Grafik Propaganda, një biznes që nuk figuron në asnjë regjistër gjykate apo QKR, një emër që nuk figuron në asnjë derdhje taksash apo detyrimesh të tjera fiskale pranë institucioneve fiskale të shtetit shqiptar.
Ndërkohë vetë Erion Veliaj pavarësisht pagesave të larta sipas tij në vite, nuk rezulton që të paguajë as detyrimet shoqërore pranë institucioneve përkatëse shtetërore, duke e përcaktuar punën e tij në 6 vjet pranë MJAFT-ëve të tij, si punë në të zezë", - evidentoi Goxhaj.