Tiranë, 12 qershor NOA - Kryeministri Sali Berisha ka shprehur ngushëllimet sot për vrasjen e aktivistit të PD-së teksa vinte posterat elektorale në Qerret të Durrësit.
Zyra e informacionit të kryeministrisë ka dhënë një deklaratë me anë të së cilës deklaron mesazhin e ngushëllimit të Berishës drejtuar familjarëve të viktimës.
"Kyeministri Sali Berisha i shpreh ngushëllimet e tij më të thella familjes së 32 vjeçarit Artan Zeka, babait të tre fëmijëve, që humbi sot tragjikisht jetën nga një dorë kriminale. Lutjet e Kryeministrit Berisha dhe të gjithë shqiptarëve shkojnë për shpirtin e të ndjerit dhe familjes së tij.
Kryeministri Berisha u bën thirrje të gjithë anëtarëve dhe militantëve të partive politike të distancohen nga aktet kriminale dhe të përkushtohen në një fushatë zgjedhore të denjë për njerëz të lirë.
Kryeministri Berisha u bën thirrje të gjithë shqiptarëve të ruajnë gjakftohtësinë dhe vetëpërmbajtjen dhe kërkon me forcë zbatimin e plotë të ligjit mbi autorin e këtij akti kriminal" thuhej në deklaratë.
Gjithashtu në deklaratë thuhet se kryeministri u bën thirrje të gjithë aktivistëve dhe mbështetësve të Partisë Demokratike të mbajnë një minutë heshtje në tubimet e tyre për humbjen e demokratit, mikut Artan Zeka.
k.k/NOA