Gramsh, 12 qershor NOA - Kryeministri Sali Berisha zhvilloi sot një takim me qytetarë të Gramshit.
"Jam këtu për tu dhënë fjalën se në 4 vitet që vijnë të gjitha shkollat e Gramshit do të jenë të reja ose të rindërtuara. Në katër vite ne ia dolëm të dyfishojmë pensionet për të gjithë fermerët e Gramshit dhe të gjithë Shqipërisë, ia dolëm të rrisim 50 deri në 70 % pensionet për të gjithë pensionistët e qytetit  të Gramshit dhe mbarë Shqipërisë. Në 4 vite dyfishuam rrogat e infermiereve që 4 vite me parë merrnin 15 mijë lekë të vjetra. Ne dyfishuam rrogat e mësuesve dhe sot mësuesit e fëmijëve tuaj dhe ata ta mbarë Shqipërisë kanë rroga 2 herë më të larta se 4 vite me parë" tha Berisha në qytetin e Gramshit.
"Gramsh evropian do të thotë para së gjithash që qytetarët e Gramshit të kenë punë. Unë ju garantoj ju se në 4 vitet që vijnë vetëm me HEC e Banjës dhe me hidrocentrale të tjera të kaskadës së Devollit do të punësohen rreth 7000 punonjës. Por ky është vetëm njëri, nga një seri hidrocentralesh  të tjera, të cilët janë në ndërtim e sipër apo nisin ndërtimin. Gjithashtu disa Hidrocentrale të vogla me kapacitet nga 4,7 deri në 20 megavat, hynë të gjitha në prodhim brenda këtij mandati. Dhe që të gjitha së bashku janë të barabarta me HEC e Ashtës" shtoi më tej kryeministri.
Berisha ju drejtua qytetareve të Gramshit se armiku i tij është varfëria të cilën qeveria e tij e ka luftuar.
k.k/NOA