English

Berisha në Gramsh: Rama votoi kundër rritjes së rrogave dhe pensioneve

Gramsh, 12 qershor NOA Update - Kryeministri Sali Berisha zhvilloi sot një takim me qytetarë të Gramshit, ku premtoi se kjo zonë, "së shpejti do të jetë në krye të përpjekjeve të qeverisë për ta shndërruar Shqipërinë në superfuqi energjetike rajonale".

Pasi foli gjatë për punën katërvjeçare të qeverisë që drejton, Berisha shpejgoi dhe arsyet pse sipas tij, duhet të fitojë dhe një mandat të dytë qeverisës.

"Ju jeni të vetëdijshëm se cila është varfëria ekstreme që trashëguam ne, por ju të jeni të sigurte se për mua ka vetëm një armik dhe ky armik është varfëria. Me përkushtimin më të madh në këto 4 vite duke dyfishuar pensionet ne fshat, duke dyfishuar rrogat e ulëta, si dhe ndihmën ekonomike ne kemi nxjerre nga pragu i varfërisë mbi 400 mijë shqiptarë", - theksoi Berisha.

Këtu bëri premtimin më të ri: "Sot unë angazhohem para jush se brenda vitit 2010 në këtë rreth nuk do të ketë qytetar shqiptar që të marrë më pak se dy dollarë në ditë", - duke u përpjekur të bindë të pranishmit, se "Shqipëria nuk është më ajo e viteve të shkuara".

Në përfundim të fjalës së tij, ka nisur dhe sulmi gati i përditshëm ndaj kreut të PS: "Thirrja ime për të gjithë ju, për të gjithë socialistët, për anëtarët e partive të tjetra për të gjithë gramshiotët pa parti, është mos harroni se Edi Rama në parlamentin shqiptar votoi kundër koncesionit të Kaskadës së Devollit dhe kundër të gjitha koncesioneve".

Berisha u kërkoi qytetarëve të mos harrojnë edhe se "Rama votoi kundër rritjes së rrogave dhe të pensioneve".

Këtu ai kujtoi edhe se "në muajin prill kur ne kishim parashikuar rritjen më të madhe të tyre, në një rast unik dhe te paprecedent Edi Rama që me grupin e vet drejtues i kanë rrogat e tyre miliona lekë kërkonte që të mos rrisja rrogat tuaja, të mos rrisja pensionet tuaja".

a.k/NOA

KOMENTE