Uashington, 12 qershor, NOA - Administrata e re amerikane e udhëhequr nga presidenti Barak Obama do të angazhohet më intensivisht në procesin e zgjidhjes së kontestit të emrit midis Shkupit dhe Athinës.
Në Parlamentin e Maqedonisë javën e ardhshme do të jetë në rend dite Rezoluta e deputetit veteran liberal Stojan Andov për çështjen e emrit dhe negociatat me Greqinë.
Kjo Rezolutë përfundimisht pritet të jetë edhe pjesë e një dokumenti strategjik që pritet të miratohet për çështjen e emrit. Rezoluta e deputetit të Partisë Liberale (PL), Stojan Andov përmban dy pikat kryesore se duhet të negociohet me palën greke vetëm për çështjen e emrit dhe nuk duhet të ndryshohet kushtetuta. ]ështja kryesore e Rezolutës do të jetë se në bisedimet me palën greke duhet të bisedohet për gjetjen e një zgjidhje për një emër, i cili do të zëvendësonte referencën e përkohshme IRJM, duke mos ndërhyrë në ndryshimin e kushtetutës.
Deri tani partitë shqiptare nuk kanë komentuar qëndrimet e tyre lidhur me këtë rezolutë, duke paralajmëruar se qëndrimet e tyre do të shpalosen gjatë debatit parlamentar. Partitë shqiptare paraprakisht kanë kërkuar që sa më shpejt të arrihet një zgjidhje për emrin, për të zhbllokuar procesin e anëtarësimit në NATO dhe BE.
Mediat greke kanë komentuar zhvillimet e fundit në relacionin Shkup-Athinë. Sipas të përditshmes "Elefteros Tipos", bisedimet e reja për çështjen e emrit ndërmjet Athinës dhe Shkupit kësaj radhe do të kenë edhe vulën e presidentit amerikan Barak Obama.
Ndërmjetësi i posaçëm i KB-së,Methju Nimic, në takimin me negociuesit Ademantis Vasilakis dhe Zoran Jolevski më 22 qershor në Gjenevë, do të njihet me pozicionet dhe qëllimet e Athinës dhe të Shkupit lidhur me propozimin e tij të fundit, i cili praktikisht nuk u shqyrtua për shkak të zgjedhjeve në Maqedoni dhe në Greqi. Nimic do t'u lërë pak kohë dy negocuesve që t'i informojnë qeveritë e veta, pas çka do t'i vizitojë Athinën dhe Shkupin. Gazeta "Ta nea" kumton se Nimic, përsëri në tryezë do ta vendosë propozimin "Republika veriore e Maqedonisë".
NOA-INA