Tiranë, 12 qershor NOA - Zëdhënësi i Policisë së Shtetit, Klodian Branko, doli sot pas mesdite në konferencë të jashtëzakonshme për shtyp ku foli mbi ngjarjen e ndodhur në Durrës.
Branko fillimisht sqaroi se sot, rreth orës 09.00 në fshatin Qerret, Sukth është plagosur rëndë me armë zjarri Artan Zeka, që tha se ishte 25 vjeç, simpatizant i Partisë Demokratike, lindur e banues në Qerret.
Ngjarja ka ndodhur në qendër të fshatit, në afërsi të një lokali, ku i dëmtuari dhe autori janë konfliktuar me njëri tjetrin për simbolet e subjekteve elektorale.
Branko shtoi se "më pas autori kësaj ngjarjeje, shtetasi Skënder Balla, simpatizant i Partisë Socialiste, 45 vjeç është larguar për t'u rikthyer me një armë automatike dhe ka gjuajtur në drejtim të shtetasit Artan Zeka, duke e plagosur rëndë, cili më pas ka gjetur vdekjen në spitalin e qytetit te Durrësit".
Brano theksoi faktin se Shtetasi Skënder Balla, person me precedent kriminal, është arrestuar 10 minuta pas kryerjes së krimit, ku i është sekuestruar dhe arma e krimit.
Kurse detajoi se për këtë ngjarje janë shoqëruar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Durrës, të gjithë personat që kanë parë dhe kanë dijeni për ngjarjen. "Mbi autorin rëndon akuza e Vrasjes me paramendim dhe Mbajtjes pa leje e armëve luftarake e municioneve, parashikuar nga nenet 78 e 278/2 të Kodit Penal", - evidentoi Branko.
Ai lajmëroi edhe se strukturat për Hetimin e Krimit në Drejtorinë e Policisë Qarkut Durrës në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës po punojnë për dokumentimin e ngjarjes së ndodhur sot më datë 12.06.09, si dhe të një ngjarjeje tjetër kriminale, ku dyshohet si autor shtetasi Skender Balla. e.l/NOA