Durrës, 12 qershor, NOA - Forcat e policisë së Durrësit kanë arrestuar në flagrancë 40-vjeçarin Bujar Luzi, banues i këtij qyteti, pasi në bashkëpunim me dy vëllezërit e tij, Agron dhe Flamur Luzi, kanë goditur me mjete të forta si leva dhe shpata Gëzim Nikocin dhe djalin e tij 17-vjeçar, duke u shkaktuar dëmtime në pjesë të ndryshme të trupit.
Sipas të dhënave policore për agjencinë e Lajmeve NOA, ngjarja ka ndodhur për motive të dobëta në karburantin e të lënduarit Gëzim Nikoci, ku Bujar Luzi pretendon se ka kryer një volum pune me mjetet e tij në vlerën prej 6.000.000 lekë të reja dhe nuk i janë paguar lekët nga Nikoci.
Këtë konflikt të mospagesës së lekëve, ai ka pretenduar që ta zgjidhë duke kryer veprimet e lartpërmendura.
Ndërkaq, Bujar Luzit i shtohet edhe vepra e shtypjes me automjetin e tij të dy punonjësve të policisë së autopatrullës, të cilët kanë ndërhyrë për të parandaluar ngjarjen.
Madje në largim e sipër nga vendngjarja, me automjetin e tij, Luzi ka goditur duke dëmtuar e rrëzuar për tokë edhe 10-vjeçaren Anisa L. duke i shkaktuar thyerje të këmbës dhe dëmtim të ligamenteve, e cila ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
n.e/NOA