Durrës, 12 qershor NOA Update -Ka ndërruar jetë para pak minutash, aktivisti i partisë Demokratike Artan Zeka, i cili mbeti i plagosur para disa orësh nga qitja me armë zjarri për të cilën dyshohet një aktivist i Partisë Socialiste.
Korrespondenti i agjencisë së lajmeve NOA informon nga spitali i Durrësit, se mjekët pohuan vdekjen e Artan Zekës, 25 vjeçarit nga fshati Qerret në Sukth afër Shijakut.
Ngjarja që i mori jetën Zekës ndodhi sot në orën 09.00 në fshatin ku ai banonte, kur është plagosur rëndë me armë zjarri, në afërsi të një lokali.
Policia tha zyrtarisht se autor i plagosjes që përfundoi në vrasje, është 45-vjeçari Skënder Balla edhe ai banues në fshatin Qerret ku jetonte viktima.
"Autori dhe viktima, janë konfliktuar me njëri-tjetrin për simbolet e subjekteve elektorale. Më pas, Balla është larguar, por për t'u rikthyer pak çaste më vonë me një automatik dhe ka gjuajtur në drejtim të Artan Zekës duke e plagosur rëndë", - konfirmoi për agjencinë NOA, drejtori i Policisë së Durrësit, Ilia Nasi.
I dëmtuari u dërgua pa vonesë në spitalin rajonal të Durrësit por megjithë përpjekjet e bëra, për shkak të plagëve të rënda, viktima gjeti vdekjen para pak çastesh.
Vijon...