Tiranë, 12 Qershor NOA - Kryetari i partisë Socialiste Edi Rama ka reaguar para pak minutash zyrtarisht, në lidhje me ngjarjen e rëndë që i mori jetën sot në Qerret të Durrësit, 31-vjeçarit Artan Zeka, aktivist i PD.
Zeka mbeti i vrarë në një sherr për posterat elektoralë të Berishës dhe Ramës në vendbanimin e tyre, nga i dyshuari 45-vjeçar Skënder Balla, nën hetim dhe për një vrasje më 2003 që identifikohet dhe si aktivist i Partisë Socialiste.
"Shpreh keqardhjen e thellë dhe ngushëllimet më të sinqerta familjes së viktimës, për këtë ngjarje tragjike, që është ndodhi për botën e tretë dhe jo për një vend që është pjesë e Evropës dhe do të integrohet në BE, siç është Shqipëria, ku politika duhet të jetë një hapësirë, ku ballafaqimi zhvillohet në mënyrë qytetare dhe ku për shkak të ideve të ndryshme, nuk ka absolutisht asnjë arsye për të cënuar dinjitetitin e njëri tjetrit, e jo më integritetin fizik të personit', - deklaroi z.Rama.
"Në të njëjtën kohë, vijoi ai, - kërkojmë dënimin maksimal të autorit, duke nënvizuar me forcë, se nuk ka asnjë lidhje me Partinë Socialiste, dhe se përfshirja e emrit të Partisë Socialiste në këtë ngjarje, është një spekulim i ulët që ne e refuzojmë me përbuzje".
e.l/NOA