Tiranë, 12 qershor NOA - Zëdhënësja e fushatës së Partisë Demokratike, Majlinda Bregu, reagoi sot, lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur në Qerret të Durrësit ku humbi jetën 31-vjeçari Artan Zeka.
Bregu publikoi dhe kërkesën që Partia Demokratike i bëri degës së PD së qarkut Durrës, që të ndërpresë në shenjë nderimi fushatën elektorale për 24 orë.
"Sot në orën 8 të mëngjesit një dorë kriminale e ushqyer nga intoleranca dhe urrejtja, goditi për vdekje veprimtarin e Partisë Demokratike, babain e tre fëmijëve, 31-vjeçarin Artan Zeka", - tha Bregu.
Ajo komentoi se "ky është një akt kriminal i shëmtuar që godet jo vetëm një aktivist të Partisë Demokratike dhe familjen Zeka por të gjithë shqiptarët që kanë sot një përkushtim të madh për një proçes të ndershëm zgjedhor".
Partia Demokratike duke shprehur familjes ngushëllimet, dhimbjen dhe pikëllimin e thellë për veprimtarin e saj të çmuar dënon me ashpërsinë më të madhe këtë akt kriminal dhe prapavijën e tij me lidhje të sigurta me krimin e shëmtuar.
Partia Demokratike kërkon sakaq, dënimin maksimal për autorin e këtij krimi por dhe frymëzuesit e tij, bos mafiozë që garojnë për të mbrojtur interesat mafioze të tyre.
Po ashtu, Partia Demokratike i kërkon Edi Ramës të distancohet dhe dënojë aktin e kryer nga segmente të krimit të partisë së tij në Durrës. "PD i kërkon të gjithë liderëve të partive politike të distancohen nga akte të tilla kriminale", - përforcoi Bregu.
Po ashtu, Partia Demokratike, u bën thirrje të gjithë militantëve dhe aktivistëve të saj të shmangin çdo lloj teprimi dhe konfliktualiteti dhe të ecin të sigurt se 28 qershori do të jetë ndëshkimi madhor për krimin dhe frymëzuesit e tij.
e.l/NOA
Â