Korçë, 13 qershor NOA - Kandidatët për deputet në qarkun e Korçës Ben Blushi dhe Olta Xhacka kanë qenë në Spitalin e qytetit të Korçës, ku kanë takuar pacientë mjekë e infermierë të këtij spitali.
Blushi në biseda me ta ka parë nga afër pamundësitë e këtij spitali për të qenë funksional e për t'i shërbyer të gjithë qarkut.
Është e patolerueshme tha Blushi që në këtë spital edhe aspirina nuk gjendet, për të mos folur për të tjera medikamente.
Një banore e qytetit të Korçës gjatë bashkëbisedimit me kandidatin e PS, Blushi është shprehur: "I blejmë në farmaci. Deri tani 150 mijë lekë më ka vajtur, unë 100 mijë lekë marrë pension. I kam marrë gjilpëra dhe serume. Çfarë të bëjmë?! Një pension kemi. Burrin e operova tani. Ku t'i gjejmë?"
Ndërsa Ben Blushi tha se "për fat të keq, ky spital, nga më të mirët e Shqipërisë, ka shumë kohë që i torturon njerëzit, duke dalë të sëmurë jashtë derës së pavijonit, ngrihen nga shtretërit e në mes të natës blejnë age, sepse për shkak të korrupsionit dhe mënyrës se si menaxhohet, nuk gjen ilaçe, nuk gjen shiringa, që janë detyrim shtetëror".
Blushi evidentoi se njerëzit paguajnë taksa në gjithë Shqipërinë, që kur të vijnë në spitalet e tyre, të kenë gjërat më minimale, nga jastëku deri te shiringat.
"Kjo gjë mungon dhe e theksoj që është fatkeqësi që në Korçë, njerëzit dalin nga spitali më të sëmurë se sa shkojnë. Kjo është faturë e cila duhet të marrë fund", - theksoi Blushi.
Në fund, u angazhua se kjo gjendje e mjerueshme e spitaleve te vendit do të marrë fund pas 28 qershorit. "Do të ngremë shërbimin shëndetësor universal", - premtoi Blushi.
a.f/NOA