Bulqizë, 13 qershor NOA - Kryetari i PS, Edi Rama gjatë turit elektoral është ndalur në qytetin e Bulqizës, apo siç njihet më së shumti si qyteti i minierës dhe i minatorëve. Rama gjatë fjalës së tij në këtë qytet është ndalur në faktin se ky qytet me ngjarjet që e kanë përfshirë në këto 4 vjet është simboli i politikës së vjetër.
Kreu i PS është angazhuar se pas 28 qershorit do ndryshojnë kushtet e punës në minierën e Shqipërisë, por edhe në të gjithë minierat e vendit.
Gjatë fjalës së tij, Rama është shprehur se duhet t'i rikthehet dinjiteti qytetit simbol të minatorëve, "pasi ky qytet nuk mund të humbasë më çdo muaj një jetë, kjo është e pafalshme", - tha Rama duke nënvizuar se, - "kjo histori e dhimbshme e këtij qyteti duhet të marrë fund me votën për PS në 28 qershor"
Nga qyteti i minatorëve Rama ka bërë apel për të votuar një politikë të re e cila sipas tij, do t'i japë fund varfërisë dhe papunësisë e kushteve çnjerëzore të punës, do rikthejmë premtoi ai jetesën me punë të ndershme në këtë vend:
"Është e disata herë që unë vij këtu në Bulqizë, ku kam qenë në ditë të vështira, që ju i keni kaluar shpesh herë në 4 vitet e fundit, për shkak të mungesës së plotë të vëmendjes dhe cinizmit të kësaj qeverie, e cila i ka kthyer shpinën Bulqizës, e cila u ka kthyer shpinën minatorëve, e cila e quan diçka normale që çdo muaj, babai i disa fëmijëve, bashkëshorti i një nëne të mos kthehet dot në shtëpi, për shkak të kushteve çnjerëzore të minierës së Bulqizës, e cila është pasuri e përbashkët, që fare mirë mund të ishte themeli i mirëqenies së përbashkët. Por, për fat të keq ajo është zgafella e fatkeqësive të njëpasnjëshme, e mbijetesës së stërmundimshme dhe e një korrupsioni të cilit ne do t'i japim fund në 28 qershor".
Rama i tha banorëve të pranishëm se "unë nuk e kërkoj votën tuaj për ta marrë shtetin dhe për ta kthyer nga një vegël të demokratëve, në një vegël të socialistëve, për të bërë me fëmijët dhe prindërit e këtij vendi kopetë e mitingjeve të ardhshme".
Menjëherë më pas, plotësoi idenë e tij: "Unë e kërkoj votën tuaj, që së bashku të ndërtojmë një shtet të të gjithë qytetarëve, të ndërtojmë një shtet përtej të majtës dhe së djathtës, të ndërtojmë një shtet që u jep ujë, e drita, punë e siguri të gjithëve, sepse të gjithë e kanë të drejtën e të jetuarit denjësisht, e të jetuarit lirisht, e të jetuarit të pavarur nga opinionet e tyre dhe njëkohësisht të pa cenuar në dinjitetin e tyre".
Për Ramën, Bulqiza është shembulli më kuptimplotë i kësaj politike të vjetër, të kthyer me kurriz nga njerëzit dhe këtu në Bulqizë krenaria dhe dinjiteti i çdo njeriu, i çdo burri dhe gruaje, i çdo prindi, pavarësisht bindjeve të tij, duhet të vihen në vend, me votën e 28 qershorit,ku e ardhmja duhet të ndahet nga e shkuara.
"Unë ua kërkoj votën, që siç kam hyrë thellë në minierë për të parë kushtet çnjerëzore në të cilat punojnë minatorët e Bulqizë, të vij përsëri dhe të hyj përsëri në minierë, por jo për t'i parë, por për t'i ndryshuar ato kushte, me qeverinë që do ta vendosim në dispozicionin tuaj", - vijoi Rama.
Kurse vazhdoi: E kërkoj votën për secilin prej jush, sepse dua që Bulqizës ne t'i kthejmë shpresën, që Bulqizës ne t'i kthejmë dinjitetin e nëpërkëmbur 18 vjet me radhë, që Bulqizës ne t'i kthejmë punën e ndershme, por njëkohësisht edhe të sigurt, që Bulqizës ne t'i kthejmë gjithçka që i duhet. Unë jam shumë mirënjohës edhe një herë tjetër ju falënderoj, sepse më keni dhënë mundësi të njoh një Shqipëri që nuk shikohet nga kutia e televizorit, të njoh një Shqipëri që vuan çdo ditë".
Në përfundim, Rama tha se "ne shqiptarët mund të bëjmë në këtë atdhe, në të cilin zoti i ka falur gjithçka për të qenë i begatë, vendin e ëndrrave dhe shpresave tona, vendin ku fëmijët tanë mund të rriten të qetë dhe mund të mos vuajnë më kurrë urie, për libra, mësues dhe të mos vuajnë më kurrë për një të ardhme të cilën për 18 vjet me radhë ua ka mbyllur politika e vjetër e së shkuarës".
e.l/NOA