Ka disa mënyra për ta njohur Beratin. Berati ka pamjen me të cilën mashtrohen të gjithë, prej së cilës mashtrohen të gjithë. Është qytet i vjetër, ka qytetari të vjetër, ka mjerim të vjetër. Prej më shumë se dhjetë vjet Berati ka qenë bastion i së majtës dhe i dominuar edhe nga emra të përveçëm, të cilët patën fatin e madh ta kishin përballë syve Beratin, por të mos i kuptonin asgjë këtij qarku
Nga Miranda HaxhiaNjë nga gjërat që shkojnë përtej debateve televizive dhe përtej shikimit të ngushtë të disa prej eksponentëve, të cilët përpiqen të artikulojnë situata, gjendje, progrese apo regrese të zonave të caktuara, është Berati përpara ditës së zgjedhjeve, Berati deri në ditën e zgjedhjeve, Berati pas datës 28 qershor 2009; është qëllimi për të cilin kandidatë për deputetë të Partisë Demokratike, tetë të tillë të Partisë Socialiste dhe disa të partive gjendra shëtisin dhe punojnë këto ditë në këtë qark.
Ka disa mënyra për ta njohur Beratin.
Berati ka pamjen me të cilën mashtrohen të gjithë, prej së cilës mashtrohen të gjithë.
Është qytet i vjetër, ka qytetari të vjetër, ka mjerim të vjetër. Prej më shumë se dhjetë vjetBerati ka qenë bastion i së majtës dhe i dominuar edhe nga emra të përveçëm, të cilët patën fatin e madh ta kishin përballë syve Beratin, por të mos i kuptonin asgjë këtij qarku. Deri sa gjenden në situatën e sotme ku kanë marrë pamjen e endacakëve dhe verifikuesve të shumë fenomeneve, të cilat kanë gjeneruar regres vetëm për shkak të qeverisjes së papërgjegjshme dhe indiferente të së Majtës, por që prezantohen si dëme të shkaktuara nga katër vitet që qeveria qendrore qeveriset nga e Djathta, kjo është leximi më fat keq i protagonistëve të Majtë në këtë fushatë zgjedhore. Është naivitet të kërkosh t'i ngresh kokën një qyteti të cilin nuk e ke vështruar asnjëherë si tëndin, është makutëri të kërkosh të jesh kandidat fitues i një qyteti të cilin e ke shndërruar në llokma përfitimesh dhe klane njerëzish që ushtrojnë pushtet duke e përvjedhur pushtetin. Është fushatë "pionierësh të Enverit" ajo që kërkojnë të bëjnë disa eksponentë të së Majtës, të cilët vjershërojnë pas udhëtimeve të sforcuara dhe kërkimit të thesareve të humbura, të cilat kërkojnë t'i prezantojnë si gjenialitete të tyret dhe zbulime prehistorike.
Ka disa mënyra për ta fyer Beratin
Asnjë forcë tjetër politike nuk e ka fyer Beratin më shumë se e Majta e cila që me emrin që i ka vënë gjithë popullit të Beratit, duke e quajtur zonë e Majtë, i nominon si tufë e urtë delesh perëndie me të cilën bën ç't'i dojë qejfi, e cila bën dhe kthen kokën andej nga vjen fishkëllima e shkopit të bariut. Gjithë votuesit e Beratit në radhë të parë janë njerëz me ndërgjegje, njerëz që mendojnë, që gjykojnë dhe që veprojnë. Gjithë votuesit e Beratit dinë mirë të kuptojnë se kur u shkohet me një thes miell një ditë para zgjedhjeve e u kërkohet vota, janë fyer më shumë sesa mund të fyhen kuajt. Populli i Beratit për herë të parë nga bisedat e ngushta dhe të zgjeruara të kandidatëve të Partisë Demokratike ka mësuar se ndihma më e mirë dhe kontributi i madh që mund t'i jepet është t'i ndihmojnë si të prodhojnë thesin me grurë, dhe jo t'i hedhin në rrugë pas një nate të ngijshme mashtrimi.
Historitë me pseudodhuratat e kandidatëve të së Majtës shkojnë deri në grotesk. Përse e çmojnë kaq pak votën dhe fjalën e votueseve vemjet e forcës kundërshtare?
E harruan qytetarinë e njerëzve dhe mençurinë e tyre? Populli i Beratit nuk është një tufë e urtë delesh që e ka kthyer kokën Majtas. Populli i Beratit është një komunitet cili shikon atë që do të shikojë. Dhe ka ardhur çasti që shikimi i njerëzve të thjeshtë, si demokratë, si socialistë, si ballistë, si republikanë, si agrarë, kap vetëm njerëzit e punës, njerëzit e ndershëm, njerëzit me etikë dhe me moral në fjalën që thonë, në atë që dëgjojnë.
Të dëgjosh njerëzit është virtyt i cili nuk njihej në Berat.
Eksperienca e kësaj fushate, takimet lagje më lagje, udhë më udhë, fshat më fshat, po tregojnë një fenomen të ri i cili nuk njihej në këtë zonë të harruar prej të gjithëve.
Ne po dëgjojmë njerëzit. I gjithë grupi i kandidatëve për deputetë të Partisë Demokratike në rrjetin e lëvizjeve dhe fushatës së tij ka një prioritet, të dëgjojë banorët. Jo të diktojë banorët e zonës, jo t'i hipnotizojë banorët e zonës. Jo t'i fryjë me slogane apo sharje banorët e zonës. Gjëja më e vështirë që kanë liderët e sotëm për të përvetësuar, është se nuk arrijnë të dëgjojnë njerëzit. Duke mos i dëgjuar, nuk arrijnë të mbajnë mend se janë njerëz, që janë po aq të denjë se vet liderët për të jetuar, për të punuar, për të gëzuar të mirat materiale të punës së vet.
Në fshatra ku nuk ka shkelur asnjë deputet më parë
Në një fshat, përtej të cilit nuk kishte më as banorë, as fshatra, as male, as qiell, fundi i botës, në një fshat ku jetonin shqiptarë që rrisnin arra, qershi, që kujdeseshin për bagëti e hallet i mbanin duke peshuar te njeri - tjetri, në Kapinovë, aty ku Tomorri prek qiellin, një grup banorësh pas njëzet vjetësh shikonin për herë të parë kandidatë për deputetë që të shkelnin në vendin e tyre të harruar. Politikën e njihnin nga televizori. Dhe mbi të gjitha, unë paskësha qenë gruaja e parë e huaj që shkelte në këtë fshat për ccdo lloj rrethane politike (jo krushqie, apo farefisnore!). Të habitur, të gëzuar, të shqetësuar, të hutuar, ata banorë me të drejta si gjithë banorët e Shqipërisë u ulën dhe pak e nga pak filluan të bisedonin me grupin tonë sikur të njiheshim prej vitesh. Nuk kishin shumë kërkesa. Vetëm një rrugë donin. Nëse mund t'u bëhej. Ndërkohë kryetari i grupit të kandidatëve për deputetë të PD, z.Genc Pollo e kishte krijuar të gjithë hartën e rrugëve të mundshme për t'u bërë fshatrave, dhe ky fshat ishte në listën e këtyre udhëve i pari.
Kjo rrugë do bëhet, u kam thënë unë, sepse ndryshe nuk ju jep njeri nuse për djemtë, sepse ndryshe, edhe unë do kem frikë të vij sërish në këto vende, pasi do kujtoj se makina do më sjellë stomakun rrotull, pasi nuk do kem guxim të vij këtu dhe të pi një gotë të ftohtë me dhallë bashkë me ju. Pasi nuk do kemi kurajën për tu parë në sy kur ju të flisni. Dhe kjo është kurajua e njerëzve të ndershëm, jo mashtruesve.
Kjo rrugë do bëhet, u tha kandidati tjetër, më thoni një gjë që e nisi dhe nuk e beri Partia Demokratike. Deri këtu kemi ardhur. Ju jepjani kujt të doni votën, e rëndësishme është që ju të njihni vet, me sytë dhe zemrën tuaj njerëzit.
Më i vjetri i fshatit rrëfeu një histori. Për gjithë herët që janë bërë votime, ka ardhur njëri dhe është ulur, i ka mbushur fletët. Për PS. Pse? Po ajo është Partia e Punës e qëmoti!!
Ata njerëz që jetonin atje ku fundi nuk kishte më asnjë përkufizim, mësuan se mund të votojnë për njerëzit, por secili për zgjedhjen e vet. Megjithëse kanë kaluar kaq shumë vite në demokraci, megjithëse kanë kaluar shumë herë zgjedhje në Shqipëri, ata njerëz për herë të parë panë si njerëz, folën me njerëz ballë për ballë, për herë të parë u poqën me disa kandidatë dhe për herë të parë besuan se të votosh është përgjegjshmëri personale, jo dhunë kolektive.
PS pa alternativa dhe PD me alternativa
E gjithë kjo fushatë zgjedhjesh është mësim më vete për secilin kandidat për deputet, si të së Majtës, ashtu edhe të së Djathtës. Berati ka një cilësi paksa ndryshe. Ka edhe kandidatë që vijnë nga e Majta, ka edhe kandidatë me origjinë nga e majta, ka edhe kandidatë që janë në numrat e parë të qeverisë së PD, ka edhe të suksesshëm në biznesin e tyre, ka edhe të suksesshëm në profesionin e tyre. Përse konkurron, më tha kushëriri im, eksponent i së majtës, ti je e gjashta në listë, nuk fiton, asnjë përfitim nuk ke?
Ja, çfarë nuk kuptojnë socialistët në këtë fushatë. E kanë kuptuar sfidën për hir të interesave personale, për hir të përfitimeve personale. Harrojnë që emri i gjithsecilit prej nesh, emri im personal në listën e kandidatëve të PD nuk ka radhë, as i gjashti, as i treti, as i fundit. Kjo është sfidë përgjegjshmërie dhe besimi e një force politike. Kjo fushatë, mundi dhe gjithë përkushtimi janë ekuivalenca ime ndaj besimit dhe vlerësimit të forcës më të madhe politike, e cila më nominoi duke më bërë pjesë të listës së konkurrentëve në këto zgjedhje. Ky ndryshim është edhe sfida e dy forcave politike. Ajo që e dallon fushatën e së Majtës dhe fushatën e së Djathtës në Berat është se, nëse e Majta nuk ka asnjë alternativë për zhvillimin e Beratit, e Djathta vjen me alternativat e saj të cilat janë të dukshme, janë të prekshme dhe kanë rezultuar të suksesshme në mandatin e parë qeverisës në zonën e Veriut. Berati, bastion i së Majtës u shndërrua prej interesave të vogla të eksponentëve të Majtë në një xhep ku asnjë nuk shikon mundësi punësimi, asnjë nuk shikon mundësi për përmirësimin e jetës, asnjë nuk shikon një shpresë. U shndërrua në një xhep të cilin e zhvatnin hera herës ata që morën votat për tetë vite me radhë. Pa asnjë skrupull. Alternativa e së Majtës është- Qeveria nuk ka bërë..., qeveria nuk ka zhvilluar..., qeveria nuk.....!
Kurse alternativa e Partisë Demokratike është: Këto katër vite do ndërtohet Boshti i Jugut që do të thotë: zhvillim i biznesit në dy akset e rrugës madhështore që do lidhë Veriun, Lindjen me Jugun; që do të thotë: mundësi punësimi, mundësi shkëmbimi tregtar, kulturor, ekonomik. Këto katër vite është menduar që Berati të shfrytëzojë resurset e mëdha turistike, të cilat nuk i ka shfrytëzuar për shkak të mungesës së infrastrukturës. Këto katër vite Berati do dijë të shfaqet po aq i pasur dhe po aq i zhvilluar sa ka qenë gjatë historisë së tij. Nuk mund të vazhdojë Berati të ecë me kokën majtas si delet, sepse Berati ka dinjitet, ka personalitet, ka inteligjencë dhe secili prej banorëve të tij, të paktën këtë gjë e mësoi këto katër vite.
Nuk ishte një rrugë në hyrje të Beratit dhe tashmë është një rrugë e hijshme. Nuk ishte pjesë e UNESCO dhe tashmë është pjesë e tij, e këtë meritë e ka as më shumë e as më pak, prej lobingut të fuqishëm që bënë eksponentë të Djathtë në sferat ndërkombëtare. Nuk ka menduar askush që Beratit i duhet një shkollë për restaurues, por nëse kujtojmë vitin 2005, ish qeveria socialiste u tall keq me banorët e këtij qyteti duke nisur për në Berat një urban rrangallë universiteti me pedagogë dhe njerëz që donin një vend pune pas rrëzimit të asaj qeverie!!!
Përse e dua Beratin dhe përse Berati e ka bërë zgjedhjen për Partinë Demokratike?
E dua Beratin se më ka dhënë kulturë, por ia kanë vjedhur kulturën dhe e kanë shpërdoruar kulturën e tij. E dua Beratin, sepse më ka dhënë edukatën dhe ia kanë shqyer edukatën duke e përdhosur dhe shpërdoruar besën e tij. E dua Beratin, sepse më mësoi të bashkëjetoj me njerëzit pa i fyer, pa i mashtruar, ndërsa e kanë fyer, e kanë mashtruar dhe e kanë përçarë për gjithë vitet e qeverisjes së socialistëve. E dua Beratin, sepse është vendi im dhe nuk mund ta dojë apo t'i dhimbset më shumë Berati emrave fantazmë shëtitës të cilët e shikojnë këtë qark si një aferë përfitimesh, si një qytet të urtë, me të cilin mund të bësh çdo gjë dhe ai të mos ndihet. E dua Beratin se di të ngrejë zërin dhe të votojë si qytet i civilizuar dhe si qytet me shpirt demokratik. Berati ka bërë prej kohe zgjedhjen e tij, ai është me njerëzit që bëjnë punën, ai shikon dhe beson te njerëzit me integritet, me personalitet, me dinjitet. Ai beson te Partia Demokratike e cila është në Berat në vendin e duhur, në kohën e duhur dhe me njerëzit e duhur vetëm për të fituar. Ne kemi fituar!
Shënim: Opinionet e rubrikës nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht qëndrimin redaksional të agjencisë NOA
Â