Tiranë, 13 qershor NOA Update - Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI), Ilir Meta, zhvilloi sot disa takime në njësinë nr.5, nr.8 dhe në atë nr. 3 të kryeqytetit.
Mes banorëve që mbështesin LSI z.Meta prezantoi Planin për Veprim dhe kandidatët e LSI për deputetë në këta njësi minibashkiake, të cilët punën e tyre e kanë përqendruar në këto zona.
Lideri i LSI shprehu bindjen e tij se kandidatët e LSI janë ata që do të përfaqësojnë denjësisht shqiptarët në Kuvendin e ardhshëm.
Duke folur për Planin për Veprim, Meta pohoi se ajo që presin shqiptarët nga ne "është punësimi dhe ulja e kostos së jetesës".
"Programi i LSI është i vetmi program shkencor, realist dhe konkret, që zgjidh problemet e punësimit. LSI ka programin më të qartë për uljen e kostos së jetesës" - u shpreh Meta.
Banorët e këtyre zonave shprehën bindjen se shqiptarët në 28 Qershor, do të votojnë për LSI si të vetmen forcë politike që do të largojë varfërinë, do të sjellë mirëqenie dhe do të nxjerrë Shqipërinë nga kriza.
e.l/NOA