English

Trafik njerëzish në Gjirokastër, përfitimi 14 mijë euro

Gjirokastër, 13 qershor NOA - Arrestohet një person dhe shpallet në kërkim një tjetër për trafik klandestinësh, ku do të përfitonin rreth 14.000 euro, informoi sot korrespondentja e agjencisë së lajmeve NOA në Gjirokastër.

Mësohet se në orën 14.30 të mesditës së Shtunë, nga ana e Specialistëve të Seksionit të Luftës Kundër Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër është bërë arrestimi në flagrancë i 26-vjeçarit Sotir Rroshi, lindur dhe banues në Gjirokastër.

Arrestimi i tij u bë pas një pune hetimore dy mujore, si dhe në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative se ai, së bashku me shtetasin Aleksandër Veli do të transportonin disa persona drejt kufirit të gjelbër me shtetin grek duke i ndihmuar për të kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme kundrejt pagesës 1600 deri në 2000 Euro.

Rreth orës 05.00 të mëngjesit të sotëm, në aksin rrugor Gjirokastër-Kakavijë, në vendin e quajtur Sofratikë, shërbimet e Sektorit të Luftës Kundër Krimit të Organizuar kanë ngritur një postbllok për kapjen e të dyshuarve.

"Sotir Rroshi dhe Aleksandër Veli kishin në përdorim nga një autoveturë secili, me targa greke të cilat i kishin përdorur edhe herë të tjera për të transportuar klandestinë", - sqaroi policia për agjencinë NOA.

Kur kanë mbërritur në postbllokun e policisë të ngritur nga shërbimet e Sektorit të Luftës Kundër Krimit të Organizuar u është bërë shenjë të ndalojnë, por Aleksandër Veli nuk ka ndaluar por është larguar me shpejtësi.

Në ndjekje të tij janë vënë agjentët e policisë, por në vendin e quajtur Terihat, të rrethit Gjirokastër, Aleksandër Veli ka braktisur automjetin dhe është larguar .

Në automjetin e braktisur që drejtohej nga ky i dyshuar, u konstatuan 4 persona, 2 femra dhe 2 meshkuj, nga Berati dhe Fieri.

Policia konfirmoi për NOA se katër klandestinët ishin një çift nga Berati dhe një çift nga Fieri.

Ndërsa Sotir Rroshi nuk ka mundur dot t'i largohet postbllokut të policisë dhe është arrestuar në flagrancë.

Edhe ky i dyshuar, në automjetin e tij kishte katër persona, 2 femra dhe 2 meshkuj nga Lushnja dhe Fieri).

Nga intervistimi i bërë nga Specialistët e Sektorit të Luftës Kundër Krimit të Organizuar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër rezultoi se, këta persona do të kalonin kufirin në mënyrë të paligjshme kundrejt pagesës 1600 deri në 2000 euro për person.

Policia pohoi se është bërë sekuestrimi i automjeteve në cilësinë e provës materiale, arrestimi në flagrancë i Sotir Rroshit dhe shpallja në kërkim e Aleksandër Velit.

v.d/NOA

KOMENTE