Krujë, 13 qershor NOA - kryetari i G99 Erion Veliaj, kandidatja e kësaj force politike për qarkun e Durrësit, Milva Ekonomi si dhe kandidatë të tjerë të qarkut zhvilluan disa takime me të rinjtë në qytetin e Krujës dhe në qytezën e Fushë Krujës.
Gjatë këtyre takimeve, Veliaj theksoi forcën që kishte rinia në këto zgjedhje për të bërë diferencën në rezultat dhe për ti dhënë fund njëherë e mirë tranzicionit të stërzgjatur.
"Sikur ne të rinjtë e Shqipërisë, që jemi në moshën nga 18 deri në 35 vjeç, të kuptojmë se jemi një e treta e popullsisë pra rreth 1 milion, sikur ne të kuptojmë çfarë force ka muskuli jonë në këto zgjedhje, ne mund të bëjmë mrrekullira", - tha Veliaj.
Sipas tij, politikanët e vjetër kanë treguar shenja të forta frike sepse kudo në Shqipëri, nga veriu deri në jug të gjithë të rinjtë po grumbullojnë energji pozitive, e gjithë Shqipëria po bucet nga një ushtri e vërtetë e padukshme e të rinjve që janë gati për ndryshimin.
Gjatë këtyre takimeve, Milva Ekonomi theksoi nevojën për përfaqësim që ka rinia shqiptare dhe problemet e saj specifike të lidhura me arsimimin dhe punësimin.
Ekonomi vlerësoi mbi të gjitha aktivizmin vullnetar që G99 ka inkurajuar gjatë këtij viti duke thënë se nuk ka kontribut më të madh për demokratizimin e mendjeve sesa përfshirja aktive në politikë nga vetë të rinjtë.
e.l/NOA