English

Masakron me thikë dy të rinj, shpallet në kërkim adoleshenti

Korçë, 14 qershor NOA - Një adoleshent ka masakruar me thikë dy të rinj të cilët ndodhen në gjendje të rëndë në spital.

Ngjarja ndodhi paraditen e sotme në lagjen nr.12 në Korçë pranë bar kafe "Mësonjëtorja' kur 17-vjecari M.Ll, ka qëlluar me thikë 20-vjeçarin Aldo Sadiku dhe 18-vjeçarin Hilmo Kamenica.

Mësohet se Hilmo Kamenica aktualisht ndodhet i shtruar në repartin e reanimacionit të spitalit civil në Korçë, në gjendje jashtë rrezikut për jetën pasi i është nënshtruar një ndërhyrje kirurgjikale, ndërsa Aldo Sadiku është transportuar për në Tiranë, me qëllim marrjen e ndihmës më të specializuar mjekësore pasi dhe gjendja e tij paraqitet më e rëndë.

Ndërkohë që policia me marrjen e njoftimit ka shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes dhe ka kryer të gjitha veprimet hetimore e proceduriale.

Nga kryerja e veprimeve hetimore e proceduriale ka rezultuar se ngjarja mund të ketë ndodhur pas një konflikti për motive të dobëta mes tre të rinjve.

Pas fjalëve të ndërsjella, 17-vjeçari me iniciale M.Ll i ka goditur dy kundërshtarët e tij disa herë me thikë në pjesë të ndryshme, të trupit dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes.

Policia ka shpallur në kërkim adoleshentin për veprën penale të "Vrasjes me dashje" e mbetur në tentative.

k.k/NOA

KOMENTE