Berat, 14 qershor NOA - Mban të plagosur gruan për dy ditë me radhë në shtëpi, për të shmangur prangat.
Ai e kishte plagosur gruan e tij mbrëmjen e së enjtes dhe e kishte mbajtur atë në banesë deri dje kur vajza e tyre zbuloi gjithçka duke çuar dhe të ëmën në spital.
Ngjarja ka ndodhur në Berat kur 61-vjeçari Prokop Mice ka plagosur gruan e tij Lizheta Mice, 63-vjeçe.
Burime nga policia thanë se dyshohet që gruaja të jetë dhunuar fizikisht nga bashkëshorti i saj gjatë një grindje të ndodhur mes tyre.
Megjithëse kishte marrë plagë të rënda në trup ajo nuk është dërguar në spital për të marrë ndihmën mjekësore.
Ajo ka qëndruar e vetme në banesë me plagët e marra ndërsa nuk ka mundur të kërkojë ndihmë nga traumat e shkaktuara nga dhuna fizike e burrit të saj.
Pas dy ditësh në banesë mësohet të ketë mbërritur vajza e martuar që ka gjetur nënën e saj të dhunuar, e cila e transportoi menjëherë në spital.
Sipas mjekëve 63-vjeçarja është paraqitur me hematoma të ndryshme në fytyrë, plagë në trup dhe trauma psikologjike.
Mjekët thanë se dhuna fizike e ushtruar i ka shkaktuar plagë të rënda gruas në fytyrë dhe në trup ndërsa ajo ka pësuar dhe trauma mendore çka i kanë vështirësuar asaj komunikimin.
Në deklaratën e saj gruaja ka mundur të flasë vetëm pak duke treguar se ishte dhunuar prej bashkëshortit i cili ndodhej në gjendje të dehur.
Ndërohë që për ngjarjen u lajmërua policia e cila kreu menjëherë shoqërimin e bashkëshortit të të dëmtuarës.
Ai ka pranuar para policisë se kishte dhunuar bashkëshorten.
Burime nga policia thanë se çifti ishte zënë mbrëmjen e së enjtes për shkak se 61-vjeçari megjithëese ndodhej në gjendje të dehur donte ende të konsumonte alkool gjë e cila është kundërshtuar nga gruaja.
Rezistencës së bashkëshortes, 61-vjeçari iu kundërpërgjigj me dhunë e duke e plagosur atë rëndë dhe duke mos e transportuar më pas në spital.
k.k/NOA