Nga Rajmonda Lajthia
Tiranë, 14 qershor NOA - Kërkesat e maqedonasve dhe kosovarëve për të blerë shtëpi në bregdetin shqiptar duket se po mbajnë në këmbë tregun imobiliar, të paktën në këtë sezon veror.
Sipas agjencive imobiliare (shitja e pasurive të patundshme) këtë fillim sezoni maqedonasit dhe kosovarët mbetën klientët e tyre.
Gentian Filaj, përfaqësues i një agjencie thotë se, ata preferojnë të blejnë shtëpi plazhi kryesisht nga bregdeti i Vlorës e deri në Sarandë.
Ofertat dhe kërkesat mbeten ende të larta, ndërsa mundësia e shqiptarëve për blerje është në nivelet më të ulëta.
Filja argumenton se ky fakt lidhet edhe me anën psikologjike të shqiptarëve. Edhe pse një sërë familjesh mund të kenë kursime të cilat kërkojnë të investojnë në pasuri të patundshme, ata hezitojnë të veprojnë tani pasi ndjehen të pasigurt, nga kriza.
Ekspertët e fushës janë të mendimit se shitja e banesave për strehim është stopuar ndjeshëm.
Lefter Sila, një tjetër agjent imobiliar është i mendimit se forcimi dhe shtrenjtimi i kredisë në vend ka ndikuar që njerëzit të mos blejnë pasuri.
Normat e interesit për kreditë me kolateral arrijnë deri në 13 %, si pasojë e rrezikut që ekziston në këtë periudhë krize.
Nga ana tjetër edhe të ardhurat e emigrantëve kanë rënë ndjeshëm, ofro 300 milionë euro i mungojnë tregut këtë 6 mujor. Paratë e emigrantëve ishin një burim i rëndësishëm për blerje të pasurive në vend.
Rënia e shitjeve të apartamenteve filloi që në fund të tremujorit të katërt 2008 dhe ka vijuar edhe në këtë 6 mujor.
I vetmi treg që ka qëndruar stabël në këto muaj ka qenë ai i qirasë. Kërkesa e të huajve për ambiente me qira, sipas agjencive, ka qenë konstante.Â
r.l/NOA