English

USAID-i përuron lulishten dhe këndin e lojërave në Fier

Fier, 14 qershor NOA - Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) në partneritet me Bashkinë e Fierit, bizneset vendore, organizatat e komunitetit dhe banorët, përuruan Lulishten dhe Këndin e Lojërave të Lagjes "08 Shkurti" në Fier.

Me dhjetëra vullnetarë nga Ambasada e Sh.B.A.-së, përfshirë Drejtoreshën e Misionit të USAID-it, zj. Roberta Mahoni dhe Drejtorin e Korpusit të Paqes, z. Hill Denham, u përfshinë në festimet e rastit, duke sjellë me vete torta, biskota dhe ëmbëlsira amerikane, duke pikturuar fytyrat e vogëlushëve pjesëmarrës, si dhe duke ndihmuar në instalimin e pjesëve për përfundimin e këndit të lojërave.

Krijimi i kësaj hapësire të blertë dhe të sigurt (700 m2) do të ndikojë në shëndetin dhe në shoqërizimin e 350 familjeve me mbi 100 fëmijë të moshës nën tetë vjeç. Gjithashtu, banorët dhe bizneset përreth që kontribuuan financiarisht apo në natyrë e kuptuan fuqinë e ndryshimit që vjen prej të vepruarit në komunitet.

"Ne shpresojmë që përpjekja e sotme do të shërbejë si një model që të punojmë së bashku për të sjellë tok burime dhe energji në përpjekje të tjera, për një qëllim të përbashkët", - tha zj. Mahoni.

"Çdo qytetar mund të luajë një rol të rëndësishëm, prej vetë faktit që jeton dhe punon këtu, duke kontribuar në nevojat aktuale të komunitetit dhe në zhvillimin e tij në të ardhmen".

"Ambasada e Sh.B.A.-së, përmes USAID-it, ka punuar për shumë vite për të ndihmuar banorët e Fierit dhe nëpërmjet Programit të Qeverisjes Vendore në Shqipëri kemi qenë në gjendje të mbështesim punën e Bashkisë për të përmirësuar shërbimet që ajo u ofron banorëve të saj", - vazhdoi zj. Mahoni.

Bashkia e qytetit Fier ka siguruar forcën punëtore dhe pajisjet, si dhe disa biznese vendore e banorë kanë kontribuar financiarisht për blerjen e dy pemëve, të barit të shtruar, si dhe të luleve. Projekti i financuar nga USAID-i për Zhvillimin e Qeverisjes Vendore ka punuar me Bashkinë e Fierit dhe me Co-Planin për të realizuar planimetrinë e detajuar dhe për përllogaritjen e kostove të projektit.

Përmes ndihmës së vullnetares së Korpusit të Paqes, Stefani Suit, fëmijët e kopshtit nr. 8 mësuan më shumë rreth mbrojtjes së mjedisit dhe rreth të qenit qytetarë të mirë.

Fëmijët vizatuan lulishten e re në lagjen e tyre dhe në nder të fituesit/es së çmimit të parë, USAID-i mbolli një pemë në lulishte.

e.l/NOA

KOMENTE