Tiranë, 14 qershor NOA Update/I plotë - Viktima i ekzekutimit pasditen e sotme në qendër të Yzberishtit në kryeqytet, është vrarë për motive të dyshuara hakmarrjeje, bëjnë të ditur për agjencinë e lajmeve NBOA, burime policore në vendngjarje.
Gjithçka ndodhi pasditen e sotme rreth orës 17.50, në një lokal në Yzberisht, ku në katin e dytë gjendet zyra elektorale e Lëvizjes Socialiste për Integrim.
Viktima Ramazan Dorzi, 58 vjeç, nga Peza e Madhe e komunës Pezë, me banim prej shumë vitesh në Yzberisht të Tiranës, gjendej duke pirë një kafe në lokalin e katit të parë.
Në një moment, pranë tij janë afruar dy persona, konfirmoi për agjencinë e lajmeve NOA, policia e Tiranës.
Një prej tyre, ka nxjerrë një pistoletë dhe me të ka qëlluar një herë të vetme me plumb pas kokës 58-vjeçarin pezak, Ramazan Dorzi.
Viktima ka ndërruar jetë në pak çaste pa mundur të marrë ndihmën e parë mjekësore.
Burimet në vendngjarje dhe ato nga grupi hetimor i mbërritur me shpejtësi, tregojnë për agjencinë NOA se në momentet kur autori, emri i të cilit për shkak se nuk është kapur ende, nuk publikohet, personi që gjendej me të, ka pësuar gjendje shoku duke u shtrirë përtokë në gjendje të fikëti, sapo ka ndodhur vrasja.
Me shpejtësi, autori i vrasjes është larguar më këmbë duke vrapuar, në përpjekje për t'i shpëtuar ndjekjes së mundshme policore.
Në vendngjarje, policia ka shoqëruar në komisariat, personin që gjendej afër autorit të vrasjes, për të zbardhur rrethanat dhe shkaqet e krimit.
Bëhet e ditur gjithashtu se të ndjerit iu gjet një pistoletë dhe policia përforcoi dyshimet se vrasja ka ndodhur për motive hakmarrjeje pa dhënë hollësi të tjera.
Nga hetimet e para, mësohet se Ramazan Dorzit, i kanë kryer edhe të paktën dy herë të tjerë atentat me armë zjarri, ndërsa nuk ka të dhëna nëse atentati i sotëm ka për autorë të njëjtët e dy tentativave të tjera.
Mësohet gjithashtu se Ramazan Dorzi, i divorcuar dhe baba i dy fëmijëve, më 18 prill të vitit 2006, ka mbetur i plagosur në një tjetër atentat ku u ekzekutua Festim Hoxha.
Në lidhje me vrasjen e Hoxhës atëherë mediat raportuan se policia dyshonte për hakmarrje, pas vrasjes së Petrit Drizës në Kombinat nga vëllai i viktimës Festim Hoxha.
Ngjarja ndodhi rreth orës 21:30 të 18 prillit 2006 në fshatin Mëzez të Tiranës, kur Festim Hoxha, 35 vjeçar, një taksist që si dhe Ramazan Dorëzi u qëlluan me breshëri armësh.
Të tre ata udhëtonin në një automjet të tipit "Mercedez- Benz", me targa të verdha taksie TR 416 B, që mendohet se lëvizte nga fshati Mëzez në drejtim të Tiranës.
Dy të parët, Festim Hoxha dhe taksisti Xhemal Sate, mbetën të vdekur në vend, ndërsa Ramazan Dorzi, kishte marrë një plagë në këmbë dhe një në dorën e djathtë.
Ai u dërgua në Spitalin Ushtarak në kryeqytet nga disa banorë të lagjes dhe pas ndërhyrjes mjekësore, e kaloi rrezikun për jetën.
"Si motiv nga grupi hetimor atëherë u dyshua hakmarrja, pasi Altin Hoxha, vëllai i Festim Hoxhës ndodhej prej muajsh në burg për vrasjen e Petrit Drizës në zonën e Kombinatit.
Ngjarja që i mori jetën Petrit Drizës, ndodhi pas një grindjeje të nisur në një bilardo në Kombinat ku Petrit Driza u akuzua se plagosi dy vëllezërit Hoxha, Altinin dhe Klodianin. Pas kësaj ngjarjeje, Driza u arrestua dhe vuajti dënimin, por dy ditë pas daljes nga burgu ai u vra.
Për këtë ngjarje, policia ka arrestuar Altin Hoxhën, dhe dy persona të tjerë. E megjithëse autori i këtij krimi ndodhet pas hekurave të qelisë, policia dyshon se vrasja e 18 prillit 2006, ku humbi jetën Festim Hoxha dhe taksisti Xhemal Sate si dhe u plagos Ramazan Dorzi duket se kishte pikënisjen pikërisht në sherrin e bilardos, të ndodhur kohë më parë, raportohej në media tre vite më parë.
k.k/NOA
Shënim: Lajmi dhe fotot që e shoqërojnë janë prodhime të agjencisë së lajmeve NOA. Ndalohet rreptësisht riprodhimi i plotë ose i pjesshëm i tyre pa u cituar burimi NOA
Â