Tiranë, 15 qershor NOA - Rrugët e qarkut Tiranë janë përgjakur shumë gjatë fundjavës që sapo u mbyll, duke shkaktuar vdekjen e katër personave dhe plagosjen e shtatë të tjerëve.
Policia duke verifikuar një pas një të gjitha aksidentet që gjeni të detajuara më poshtë, tha se më së shumti, ato kanë ndodhur si pasojë e shkeljes së rregullave të përdorimit të rrugës nga drejtuesit e mjeteve dhe udhëtarët e tjerë.
***
Luftën me vdekjen ka humbur dje në orën 03.40 të mëngjesit, Leonik Doda, 21 vjeçar, banues në fshatin Bilal, Fushë Krujë i cili prej të shtunës gjendej në spital pas një aksidenti.
Ngjarja ndodhi rreth orës 06.15 të së Shtunës, në aksin rrugor Vorë-Fushë Krujë, te Kthesa e Rinasit.
Agim Petrit Gjyzeli, 51 vjeç, banues në Tiranë, duke drejtuar mjetin "Iveco" me targë TR 3587 F, është përplasur me motorrin "Honda" me targë TR 937 C, me drejtues 21-vjeçarin Leonik Doda, banues në fshatin Bilal, Fushë Krujë.
Për pasojë është aksidentuar me vdekje pasagjeri i motorit, Andrit Prenga, 18 vjeç, banues në Bilal, kurse dje në orën 03.40, vdiq në QSUT, edhe i riu tjetër, Leonik Doda.
Seksioni i Hetimit të Aksidenteve Rrugore tha se ndërmori arrestimin në flagrancë ndaj 51-vjeçarit Agim Gjyzeli.
Sakaq, policia njoftoi edhe arrestimin dje në flagrancë të 29-vjeçarit Nelson Xhaferri, banues në Tiranë, pasi akuzohet për aksidentimin me vdekje të shtunën, të shtetasit 86-vjeçar nga Tirana, Hasan Mema.
***
Superstrada Tiranë-Durrës u përfshi në një përgjakje rrugësh, pikërisht dje në orën 04.30, duke shkaktuar një të vdekur dhe katër të plagosur.
Burimet policore i thanë agjencisë së lajmeve NOA, se "në superstradën Tiranë-Durrës, tek mbikalimi i Yrshekut, mjeti Benz DR 9974 C, që drejtohej nga 34-vjeçari Dashnor Meraja, banues në Sukth, ka dalë nga rruga duke provokuar aksident të rëndë.
"Për pasojë është aksidentuar me vdekje pasagjeri Bajram Hamzaj, 33 vjeç kurse u aksidentuan e ndodhen në QSUT, nën kujdesin e mjekëve, drejtuesi i mjetit dhe tre persona të tjerë.
Të plagosurit që gjenden në spital, janë Dashnor Meraja, 34 vjeç, Zana Meraja, 35 vjeç, Ramazan Meraja, 65 vjeç dhe Shkurte Hamzaj, 51 vjeç.
***
Një tjetër aksident, ka ndodhur po këtë fundjavë që u mbyll, në fshatin Fushë-Prezë.
Policia tha se 40-vjeçari Flamur Muka, banues në fshatin Budëll, Fushë Krujë, rreth orës 11.00 të së shtunës, duke drejtuar mjetin Benz me targa KR 7140 A, ka aksidentuar motoçiklistin 25-vjeçar Albert Zaja.
I riu, banues në fshatin Larush, u dërgua në QSUT ku dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën, kurse për 40-vjeçarin Muka, filloi procedimi penal në gjendje të lirë.
***
Edhe në mes të Tiranës, pikërisht në bulevardin "Bajram Curri", ka pasur një aksident.
Ai ka ndodhur mbrëmjen e së shtunës në orën 19.00,, kur 30-vjeçari nga Tirana, Eduard Balla, duke drejtuar mjetin Ford me targa TR 1369 I, ka aksidentuar këmbësorin 72-vjeçar Baço Ç., banues në Tiranë.
I plagosuri u dërgua në QSUT ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën, kurse për 30-vjeçarin Balla, filloi procedimi penal në gjendje të lirë.
***
Fatmir Mehmetaj, 49 vjeç, banues në Kavajë, në orën 17.30 të ditës së djeshme, duke drejtuar mjetin Benz KJ 4058 A tek Gjykata e Vjetër në qytetin e Kavajës, është përplasur me motoçikletën "Suzuki", pa targa, që drejtohej nga 20-vjeçari Gëzim Boçi i cili për pasojë është aksidentuar.
Komisariati i Policisë Kavajë saktësoi se në gjendje të rëndë, i riu Boçi, banues në fshatin Synej, u dërgua në spital ku edhe ndodhet aktualisht jashtë rrezikut për jetën Gëzimi.
e.l/NOA