English

Greqia vendos të nisë një valë operacionale ndaj emigrantëve klandestinë

Nga bashkëpunëtori i agjencisë NOA

Athinë, 15 qershor NOA - Autoritetet greke të rendit kanë vendosur që të nisin një valë operacionale të posaçme dedikuar luftimit të emigrantëve klandestinë.

Lajmi ka sjellë reagime të forta ku politika e ka cilësuar si një përpjekje politike për të mbuluar gabimet nga ana e qeverisë aktuale, kurse mediat kryesore kanë mbajtur qëndrim duke e kritikuar vendimin që sipas tyre nuk mund të gëzojë mbështetje.

"Policia është duke punuar që pas një muaji të ndërhyjë masivisht kundër emigracionit të paligjshëm", deklaroi zëvendësministri i Brendshëm, për çështjet e Rendit Publik, Hristos Markojanakis.

Klandestinët do të priten në qendra pritëse që do të krijohen posaçërisht për ta, deri në riatdhesimin e tyre në vendet e origjinës.

Autoritetet i prenë rrugën reagimit të mundshëm nga organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, duke sqaruar se janë siguruar fonde që këto qendra të funksionojnë në kushte normale njerëzore, me një personel mjekësor dhe ushqim.

Më herët, këtë e kishte paralajmëruar kryeministri grek, Kostas Karamanlis, i cili humbi zgjedhjet e BE, njoftoi para pak ditësh ashpërsimin e masave kundër emigracionit klandestin. Madje kreu i qeverisë konservatore të së djathtës, Karamanlis, kërkoi që samiti i ardhshëm i bashkimit Evropian të dalë me vendime lidhur me emigracionin.Â

Karamanlis, ka cituar sondazhet me banorë të Athinës, ku shumë prej tyre, shprehen se emigrantët klandestinë që vlerësohen në të paktën 250 mijë, shumë prej tyre shqiptarë, janë një burim i mirëfilltë pasigurie në Greqi.

Një në dy të arrestuar, është i huajt Ministria e Brendshme ka dalë me disa shifra konkrete për luftën ndaj klandestinitetit gjatë vitit të kaluar.

Ajo pohoi se gjatë 2008, afro 148 mijë emigrantë të paligjshëm janë ndaluar në Greqi, kur kjo shifër më 2007 ishte 122 mijë.

Numri më i pakët i klandestinëve të kapur, shënohet pesë vjet më parë, në vitin 2004 me 45 mijë klandestinë të ndaluar.

Shifrat janë edhe më tronditëse dhe në disfavor të emigrantëve kur mësohet se në periudhën janar-prill 2009 janë kryer 9800 arrestime, ku 4800 kanë qenë emigrantë. Vitin e kaluar u shënuan 8100 arrestime ku emigrantë ishin vetë, 3150.

Ndërkohë, në katër muajt e parë të 2009 u shënuan 554 grabitje dhe plaçkitje, mes tyre 55 me armë, ku pjesa më e madhe kanë për protagonistë emigrantët, më së shumti shqiptarë, me ngjyrë, etj.

n.s/NOA

Shënim: Lajmi dhe fotot që e shoqërojnë janë prodhime të agjencisë së lajmeve NOA. Ndalohet rreptësisht riprodhimi i plotë ose i pjesshëm i tyre pa u cituar burimi NOA

KOMENTE