Prishtinë, 15 qershor, NOA - Republika e Kosovës sot shënon përvjetorin e parë të hyrjes në fuqi të Kushtetutës.
Me këtë rast, në Prishtinë do të jenë të pranishëm ish krye-ndërmjetësi për statusin e Kosovës Marti Ahtisari dhe ish-zëvendësit e tij Albert Rohan dhe ambasadori amerikan Frenk Uizner, të ciltët do të marrin pjesë në seancën solemne të Kuvendit.
Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës ka organizuar një pritje madhështore për ish-presidentin finlandez Marti Ahtisari i cili ishte i dërguar i posaçëm i OKB-së për Kosovën.
Sipas axhendës në ora 13:40 presidenti Ahtisari në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës do të mirëpritet nga shefi i diplomacisë kosovare Hyseni dhe Peter Faith.
Presidneti Ahtisari do të nderohet nga Garda e FSK-së ndërsa më pas në orën 14:50 minuta në Parlamentin e Kosovës do të realizojë takim me kreun shtetëror kosovar dhe shefin e të Kosovës ICO-s, Peter Faith.
Sot gjithashtu, në Prishtinë mbahet takimi i radhës i grupit drejtues për Kosovën. Kushtetuta e Kosovës, hyri në fuqi katër muaj pas shpalljes së pavarësisë së saj, më 15 qershor të vitit 2008 dhe ajo përfshiu edhe planin gjithëpërfshirës të presidentit Ahtisaari.
NOA-INA