English

Kryeministri Berisha miting në Tropojë pas 12 vitesh: Mendja ime është tek ju!

Tropojë, 15 qershor, NOA, Update - Kryeministri Sali Berisha ka vizituar vendlindjen e tij, Tropojën, në të cilën nuk ka shkelur prej 12 vitesh, duke deklaruar para qytetarëve të saj se mendja e tij qëndron tek ta dhe tek vendlindja e tij.

"Ju ishit ata që larguat diktaturën", u është drejtuar ai gjatë mitingut elektoral në kuadrin e turit "Shqipëria po ndryshon" që ka zhvilluar në qytetin verior të vendit.

Më pas, ai i ka ftuar tropojanët që bashkë me të, të vazhdojnë mandatin e dytë qeverisës të së djathtës, në të mirën e përbashkët.

"Të bëhemi së bashku për një Tropojë evropiane", ka deklaruar kreu i qeverisë që nga skaji verior i vendit.

Më pas, ai ka premtuar gjatë fjalimit të tij se në këtë qytet nuk do të ketë më rrugë të paasfaltuara gjatë mandatit të tij të dytë.

"Tirana dhe Tropoja do të jenë më afër me njëra-tjetrën", ka premtuar ndër të tjera kryeministri.

Por nga ana tjetër, ai i ka bërë thirrje që nga Tropoja edhe kryesocialistit Edi Rama që të vijë sa herë të dojë në qytetin verior.

"Do t'i them Edi Ramës të vijë sa herë të dojë në Tropojë", u shpreh Berisha.

Që kur njihet si ish-president, më pas si kryetar i opozitës dhe së fundi si kryeministër, Berisha ka shkelur vetëm tri herë atje.

n.e/NOA

KOMENTE