English

Plagosja te "Ali Demi", vdes në spital 30-vjeçari, policia në kërkim të autorit

Tiranë, 15 qershor NOA - Ndërron jetë në spital 30-vjeçari i cili u plagos rëndë një ditë më parë në rrugën "Ali Demi" në Tiranë.

Fatjon Çela ishte një nga tre personat që mbetën të plagosur dje me thikë gjatë një sherri me një person tjetër.

Mësohet se 30-vjeçari Çela ishte goditur me thikë në pjesën e gjoksit.

Ai u transportua në Spitalin ushtarak në gjendje të rëndë, por edhe pas ndërhyrjes mjekësore ai nuk mundi të shpëtonte duke ndërruar jetë në orët e para të ditës së sotme.

Burime nga policia thanë se katër ditë më parë, Fatjon Çela, Klodjan dhe Taulant Sinan Allmuça, kanë pasur një sherr me 27-vjeçarin Erjon Duda.

Sherri ka vazhduar sërish ditën e djeshme ku pas fjalëve të ndërsjella Duda ka mundur të godasë me thikë tre kundërshtarët e tij.

"Të plagosurit u dërguan menjëherë në Spitalin Ushtarak Tiranë, ku në orët e para të mëngjesit të ditës së sotme, ka gjetur vdekjen si pasojë e plagës të marrë në pjesën e gjoksin, shtetasi Fatjon Çela, 30-vjeç, me banim në Tiranë" bëri të ditur policia e kryeqytetit. Ndërkohë, që ndodhen jashtë rrezikut për jetën në Spitalin Ushtarak Tiranë, dy të plagosurit e tjerë Klodian dhe Taulant Allmuca, të moshës 28 dhe 24 vjeç, me banim në Tiranë. Burime nga policia thanë se në sajë të një pune të hetimore të kryer në bashkëpunim me organin e Prokurorisë Rrethit Gjyqësor Tiranë nga strukturat e hetimit të Krimit të Policisë së Tiranës, u arrit identifikimi i autorit të kësaj ngjarje, i cili dyshohet të jetë shtetasi Erjon Duda, 27- vjeç, lindur e banues në Tiranë, për të cilin po punohet intensivisht për kapjen e tij, tashmë të identifikuar. k.k/NOA

KOMENTE