Tiranë, 15 qershor NOA - Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama ka vazhduar turin e tij për prezantimin e kandidatëve të qarkut Tiranë në komunën Farkë.
Gjatë takimit në këtë komunë fare pranë qytetit të Tiranës, Edi Rama ka premtuar dhënien e statusit ligjor të metropolit qarkut të Tiranës.
"Do t'i japim status të ri ligjor Qarkut të Tiranës si metropol i Shqipërisë dhe duke i hapur rrugë një zhvillimi të ri, me një ritëm të ri, me një shpejtësi të re kryeqytetit dhe të gjithë zonave të tjera, që nga Dajti e deri në Rrogozhinë e Kavajë, që nga Farka deri në Vorë, Ndroq e Kashar, duke u zhvilluar me një shpejtësi të re si një metropol i integruar, me shërbime të integruara" tha Rama.
Ai shtoi se "banorët dhe banoret e kryeqytetit kanë një arsye të thjeshtë për të votuar më 28 qershor për mua dhe për Partinë Socialiste: që transformimet e bëra në këto vite, t'i përshpejtojmë dhe që të bëjmë në 4 vitet e ardhshme më shumë se ç'kemi bërë në 8 vitet e shkuara të marra së bashku në Tiranë".
"Të gjithë të tjerët që banojnë rreth Tiranës kanë po ashtu një arsye madhore e cila ka të bëjë me domosdoshmërinë që edhe komunat përreth edhe Bashkitë e tjera të këtij qarku, deri në Kavajë, të mund të zhvillohen me ritmin e Tiranës. Kjo në mënyrë që të gjithë qytetarët e qytetaret e qarkut tonë të jenë qytetarë e qytetare të metropolit të ri të Shqipërisë dhe të një metropoli të ri në rajonin e Ballkanit. Për kryeqytetin dhe për të gjithë qarkun e Tiranës do të hapet një faqe e re në historinë tonë të përbashkët. Kryeqyteti do të zhvillohet disa herë më shpejt, ndërsa Qarku do të zhvillohet disa dhjetëra herë më shpejt" shtoi më tej Rama.
k.k/NOA